VLORË- Tregtarët e qytetit bregdetar të Vlorës prej dy ditësh po zhvillojnë një protestë kundër një projekti nga Bashkia e Vlorës për ndërtimin e tregut të ri. Për të vënë në jetë këtë projekt, tregtarët e tregut industrial të Vlorës morën një njoftim nga bashkia që brenda 3 ditësh duhet të zhvendosen, por ata kundërshtojnë pasi Bashkia ende nuk u ka gjetur një ambient se ku do të vendosen deri në ndërtimin e tregut të ri.
Tregtarët kanë mësyrë në ambientet e brendshme të Bashkisë së Vlorës, siç shihet edhe në këto pamje që sjell Report Tv. Tregtarët dallohen teksa debatojnë me një nënkryetaren e bashkisë Irena Toshkallari, së cilës i thonë se kanë kontratë të lidhur me bashkinë dhe nuk mund të largohen në mënyrë kafshërore.
“Të gjithë kemi nga një kontratë që quhet i vetëpunësuar nga bashkia e Vlorës. E kemi të gjithë nga një kontratë. Për 3 ditë të vini në mënyrë kafshërore dhe të thoni ikni ju. Ja e hodhëm mallin në det, por çfarë do çoj në shtëpi unë.
Nuk u kërkojmë luks, u kërkojmë të ushqehemi”, thonë tregtarët.
Pas takimit që tregtarët kanë zhvilluar me nënkryetaren e Bashkisë, Report Tv mësoi se tregtarët janë dakordësuar se do të qëndrojnë aty deri sa të gjendet një hapësirë se ku do të zhvendosen, por paralelisht do të nisë puna edhe për tregun e ri.
Komente








