2 muaj pas padisë së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, një tjetër kërkesë për shpallje antikushtetues të vendimit vendimin e qeverisë për ndërtimet pa leje është depozituar në Gjykatën Kushtetuese. Ka qenë Shoqata e Ndërtuesve e cila ka bërë së fundmi kërkesën.

Ky lajm ka sjellë edhe reagimin e Kryeministrit Rama i cili ka shkruar se ligji do të zbatohet ndërkohë që anëtarëve të Kushtetueses u ka bërë thirrje që ‘të mos lajthisin’.

“Shoqata e Ndërtuesve qenka ankuar në Gjykatën Kushtetuese pse po goditen rëndë pallatet me shkelje të lejeve të ndërtimit! Le të shkojnë edhe në Hagë ose në hënë po të duan, po pallatet me shkelje do prishen ose do konfiskohen për interes publik prandaj uroj që Gjykata Kushtetuese të mos lajthisë”, shkruan Rama.

Kujtojmë se edhe Partia Demokratike e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për ndërtimet pa leje. Kërkesa u depozitua nga sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ndërsa mban firmën e 28 deputetëve, mes tyre të ish-kryedemokratit Lulzim Basha. PD kërkon shfuqizimin e këtij vendimi me argumentin se është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi cenon barazinë e qytetarëve para ligjit.

Në shtator të këtij viti Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për bllokimin e ndërtimeve pa leje, përmes së cilit pronarët e pallateve ose duhet ta blejnë ndërtimin pa leje me çmimi tregu dhe i legalizohet, ose ia dhurojnë shtetit, ose ndryshe i sekuestrohet. Deri më tani vetëm “Ideal Cosntruction shpk” ka vendosur t’i dhurojë shtetit shtesën pa leje prej 4646 metër katrorë, e cila do të përdoret për interes publik. Ndërkohë janë sekuestruar edhe godina të tjera

Pak javë më parë, Kryeministri Rama njoftoi se ka firmosur 15 procedura për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Në një videomesazh nga zyra e tij, u shpreh se dosjet vijojnë të flenë prej kohësh në prokuroritë e rretheve. Kreu i qeverisë thekson se po ngushtohet rrethi i shkeljeve pasi sipas tij, pas këtij operacioni të nisur nuk do të ketë më 'guximtarë' që do të ndërtojnë pa leje.