Tirana dhe Besiktas luajnë nesër në 20:00 në "Air Albania", për ndeshjen e kthimit në turin e II kualifikues të Conference League. Përballja e një jave më parë në Turqi përfundoi 3-1 për vendasit, teksa nënkampionët e Shqipërisë shpresojnë te një gol i shpejtë për t'i bërë presion djemve të Gunes.
Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i Tiranës, Orges Shehi. Durrsaku nuk i ka humbur shpresat, teksa kërkon një paraqitje të mirë të të tijve, duke mos pasur frikë nga një emër i madh si ai i Besiktas.
"Do të kërkojmë të jemi në vazhdën e ndeshjeve të fundit, edhe pse jemi koshientë që kemi përballë kundërshtar të fortë. Ta nisim ku e lamë në ndeshjen e parë. Shpresoj që të kemi një skuadër me ekuilibër, sepse ekuilibri është shumë i rëndësishëm përballë kundërshtarëve të tillë. Sigurisht që ndeshjet më pas vendosen nga episode.
Ekipe me buxhete të tilla është më mirë t’i përballësh më vonë. Me përvojën që kam unë, është hera e parë që përballemi me kundërshtar të nivelit të tillë. Do të futemi në fushë për të dhënë më të mirë, me synimin për ta kthyer rezultatin. Shanset varen nga situatat që do të krijohen gjatë lojës, që të afrojnë apo të të largojnë nga objektivi", tha fillimisht Shehi.
Më pas trajneri foli edhe për ndryshimet që mund të ndodhin në formacionm duke qenë se kontigjenti i bardhebluve është i plotë.
"Kam kontingjent të bollshëm dhe duke pasur këtë, mund të ketë ndryshime. Këto ndryshime mund të jenë në njerëz apo modul. Nesër mund të ketë emra të rinj sa i përket formacionit, por jo kontingjentit. Ndoshta mund të duket e çuditshme, por lojtarët që kanë ardhur nga stoli në këto tre ndeshje, kanë ndryshuar ndeshjen. Që do të thotë se pavarësisht ndërrimeve të emrave nesër, të gjithë të jenë në fokus dhe me përqendrim që të gjithë ata që futen nga stoli e shohin më të qetë, kanë marrë direktivat më të qarta. Që të jenë akoma më në rrugën e duhur dhe që ata që janë futur nga stoli të jenë edhe me vendimtarë", tha Shehi.
Trajneri foli edhe për ndeshjen hapëse të Superligës kundër Dinamos dhe formën e Kaina.
"Edhe pse përqendrimi është tek e nesërmja, pasi hidhet shorti i kampionatit je kureshtar me kë përplasesh. Më vjen mirë që e fillojmë me derbi, me Dinamon. Kaina është një lojtar që kemi ngulmuar ta marrim në gjirin tonë. Në ndeshjet e para, një herë kishte probleme shëndetësore e një fatkeqësi familjare. Në Stamboll u fut mirë në lojë dhe u bë protagonist. Me performancën e rëndësinë që ka, nesër do ta fillojë nga fillimi", tha Shehi.
Tirana dhe Besiktas luajnë nesër në 20:00 për turin e II kualifikues në Conference League. Pas trajnerit Orges Shehi, për mediet foli edhe portieri i ekipit, Gentian Selmani.
"Jemi të motivuar sepse është një ndeshje europiane përballë një skuadre të fortë si Besiktasi. Atmosfera është shumë e mirë dhe e kemi përgatitur ndeshjen si duhet.
Shpresojmë që të jetë dita jonë nesër dhe të arrijmë të kualifikohemi. Shpresoj që dhe në stadium të ketë tifozë që të na mbështesin, ta fitojmë ndeshjen dhe ta arrijmë objektivin", tha fillimisht portieri.
Selmani foli edhe për ndeshjen e parë në Turqi, humbur 3-1 dhe mundësinë për të shamngur golat e pësuar.
"Mund të bënim diçka më mirë në ndeshjen e parë, i kemi analizuar 3 golat. Jemi përgatitur për ndeshjen e radhës që të mos i përsërisim gabimet. Tani e njohim kundërshtarin. Tirana është ekipi më i madh në Shqipëri dhe është një përvojë e re për mua. Ndihem shumë mirë pasi kam gjetur një ambjent të mirë", tregoi Selmani.