Në studim thuhet se, “pjesëmarrësit pranojnë se ndoshta është shumë herët për të gjykuar në tërësi punën e qeverisë, por përmendin disa masa konkrete me të cilat pajtohen në parim, duke përfshirë: mbylljen e qendrave të bastit dhe kazinove, prishjen e ndërtimeve pa leje, shfuqizimin e amendamenteve të ligjit mbi importin e mbetjeve, futjen e taksimit progresiv, dhe fushatën për luftën kundër korrupsionit”.
Ky është një nga konkluzionet e hulumtimit të kryer nga Instituti Demokratik Amerikan (NDI), sipas të cilit papunësia dhe korrupsioni janë shqetësimet kryesore të qytetarëve. Diskutimet dhe kërkimet janë bërë në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Korçë, nga data 9 deri 15 Dhjetor 2013.
Pjesëmarrësit e shohin korrupsionin si të përhapur dhe shprehen se ai çon në funksionim të paefektshëm të institucioneve publike, cilësi të ulët të shërbimeve publike dhe mundësi të kufizuara për qytetarët për punësim, kujdes shëndetësor dhe arsim, ndër të tjera. Shumica e pjesëmarrësve janë në favor të integrimit në Bashkimin Evropian (BE). Ata e perceptojnë anëtarësimin në BE si një mjet për të përmirësuar monitorimin e punës së qeverisë dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit në vend.
Ata janë të vetëdijshëm se bashkë me privilegjet e anëtarësimit në BE, vijnë përgjegjësi dhe detyrime si për qeverinë ashtu edhe për qytetarët. Pjesëmarrësit shprehin mosbesim te parlamenti, partitë politike dhe procesi politik në përgjithësi dhe shfaqen skeptikë për ekzistencën e ndonjë partie politike të interesuar në zgjidhjen e problemeve me rëndësi për qytetarët.
Të gjitha partitë politike shihen si njësoj fajtore. Asnjëra në veçanti nuk dallohet si e orientuar drejt zgjidhjes së problemeve. Pavarësisht moshës apo gjinisë, shumica e pjesëmarrësve janë të mendimit se duhet të ketë më shumë gra në politikë. Gratë konsiderohen si më të orientuara drejt problematikave/çështjeve specifike dhe besohet se perspektivat e tyre në zgjidhjen e problemeve sjellin zgjidhje më të qëndrueshme dhe afatgjata. Studimi cilësor synon t’i pajisë drejtuesit e partive politike kryesore dhe ato të shoqërisë civile në Shqipëri me informacion objektiv për të ndihmuar ndërmarrjen e reformave mbi çështjet që shqetësojnë qytetarët.
Ekziston një ndjenjë optimizmi të matur për reforma – nëse liderët e zgjedhur u drejtohen qytetarëve dhe i angazhojnë ata në mënyrë domethënëse në vendimet për politikat publike. Kjo e fundit është në kontrast të dukshëm me hulumtimin përmes grupeve të fokusuara, të kryer në tetor të vitit 2012, i cili tregonte një bindje thuajse universale se vendi po shkonte në drejtim të gabuar.
Hulumtimi konstatoi se qytetarët ndihen të shkëputur nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe liderët e partive, dhe se u bëjnë thirrje të mbajnë premtimet zgjedhore. Ata thanë se zyrtarët duhet t’i dëgjojnë e të komunikojnë rregullisht me qytetarët në mënyrë që të kuptojnë shqetësimet e tyre, si dhe të punojnë në mënyrë më efikase përtej linjave partiake për të arritur konsensus mbi problemet ekonomike dhe sociale më shqetësuese. Gjithashtu, hulumtimi konstatoi se qytetarët shprehin qartësisht dëshirën për një stil të ri të politike dhe qeverisjeje, të bazuar në konsultime publike dhe pjesëmarrje, përgjegjësi nga ana e politikanëve dhe llogaridhënie nga ana e qeverisë.