Plot 23 mijë familje të cilat kishin të ardhura të mjaftueshme kanë përfituar nga skema e ndihmës ekonomike deri më tani. Nga verifikimet e bëra në terren por edhe ato të kritereve të dokumentacionit që duhet të plotësojnë familjet në nevojë, kanë bërë që këto 23 mijë familje përjashtohen përfundimisht nga skema e ndihmës ekonomike. Ky fakt është pohuar nga Drejtoresha e Përkujdesit Shoqëror dhe e Shërbimeve të Integruara Denada Seferi e cila thekson se me projektin e ri qa ka nisur në tre qytete do përfituesit janë realisht familje të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar jetesën.

“Kemi pilotim të një skeme të re, e cila po realizohet në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Një person i cili duhet të aplikojë në këtë skemë të re të ndihmës ekonomike, paraqitet përsëri përpara administratorit shoqëror, plotëson formularin e caktuar, por verifikimet janë në sistemin online. Pra në qoftë se ka një person i cili mendon se mund të mashtrojë, verifikimet online japin në kohë reale të gjithë këtë pjesë të “gënjeshtrës”, që jepet nga qytetarët”, tha Seferi. Por cilët janë kategoritë që do të vendosen në krye të listës që me të drejtë do t’i jepet prioritet për të marrë ndihmën ekonomike?

“I është dhënë përparësi familjeve të cilat kanë shumë fëmijë, të cilat deri më sot ishin jo të favorizuara në skemën e ndihmës ekonomike, sepse kishte masa të përcaktuara fikse për çdo kryefamiljar, kryefamiljare apo çdo anëtar të familjes. Sot janë favorizuar fëmijët dhe familjet me shumë anëtarë” nënvizon Seferi. Ndihma ekonomike është 8000 lekë në muaj dhe aktualisht në skemë janë 83.000 përfitues. Tashmë nëpërmjet sistemit të dixhitalizimit gjithçka do të jetë transparente dhe askush nuk do të abuzojë me dokumentacionin dhe përfitime.


Redaksia Online/Shqiptarja.com