Qeveria ka vendosur që të dëmshpërblejë dëmet që pësojnë pronat e punonjësve të policisë për shkak të kryerjes së detyrës. Sipas vendimit të djeshëm qeveria do të paguajë menjëherë deri në 1 000 000 (një milion) lekë dëmin që i ka ndodhur punonjësit të policisë. Në fakt punonjësit e policisë prej vitesh e kanë ngritur këtë problematikë.

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur atyre u janë djegur makinat, u është vënë eksploziv nëpër shtëpitë e tyre dhe dëme të tjera që vinin për shkak të detyrës. Deri më tani këto dëme mbuloheshin vetëm nga kompanitë e sigurimeve, nëse ato prona ishin të siguruara në mënyrë private nga punonëjsit e policisë, por që në shumicën e rasteve nuk rezultonin të siguruara për dëme të kësaj natyre. Në këtë mënyrë veç rrezikut për jetën punonjësit e policisë ndesheshin edhe me dëme të mëdha financiare.

Sipas vendimit të qeverisë punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës për shkak të detyrës, përfiton ndihmë të menjëhershme financiare në masën 100 për qind të vlerës së pronës së dëmtuar, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë.

Por që ta marrë këtë dëmshpërblim punonjësi i policisë duhet të bëhet fjalë për një pronë me vlerë jo më të vogël se njëqind mijë lekë të reja. “Punonjësi i policisë e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare, sipas pikës 1, të këtij vendimi, kur dëmtimi i pronës së paluajtshme ose të luajtshme, vlerësohet më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë”, thuhet në vendim.

Për të përfituar ndihmë të menjëhershme financiare, punonjësi i policisë duhet të ketë titull pronësie, bashkëpronësie të pronës së dëmtuar, apo të provojë që këtë pronë e ka në proces legalizimi. Punonjësit të policisë i jepet ndihmë e menjëhershme financiare, sipas këtij vendimi, vetëm në rast se nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.

Punonjësi i policisë e përfiton ndihmën e menjëhershme financiare kur: a) prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit të policisë për shkak të detyrës, dhe për rastin është referuar në Prokurori; b) prona i është dëmtuar aksidentalisht, gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë, për përmbushjen e detyrave zyrtare. 

Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, punonjësi i policisë parashtron faktin e dëmtimit dhe dorëzon zyrtarisht dokumentacionin, pranë titullarit të institucionit policor ku ai shërben. Drejtori i Policisë së Shtetit urdhëron ngritjen e komisionit për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit të shkaktuar. Urdhri për ngritjen e komisionit i komunikohet zyrtarisht punonjësit të policisë që ka kërkuar ndihmë të menjëhershme financiare.

Komisioni për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit drejtohet nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit dhe përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët 1 specialist finance dhe 1 jurist.  Komisioni verifikon faktin e dëmtimit të pronës, bën vlerësimin paraprak të dëmit të shkaktuar dhe shikon përputhshmërinë me kriteret për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare, sa më shpejt, por jo më vonë se 10 ditë pune nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë. Komisioni i vë në dispozicion Drejtorit të Policisë së Shtetit përfundimet e arritura. Pagesa për ndihmë të menjëhershme financiare për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.

Vendimi i qeverisë i jep të drejtë punonjësit të policisë që të paguhet menjëherë, pra pa përfunduar hetimet rreth ngjarjes. Porn ë rast se nga hetimet që do kryejnë organet kompetente rezulton se dëmi i shkaktuar ndaj punonjësit të policisë nuk është bërë për shkak të detyrës së tij, atëherë ai duhet të kthejë paratë pas. “Kur nga hetimi apo gjykimi i çështjes provohet se dëmi i shkaktuar nuk ka ardhur për shkak të detyrës, punonjësi i policisë që ka përfituar ndihmë të menjëhershme financiare është i detyruar të kthejë në masën 100 për qind shumën e përfituar”, thuhet në vendimin e qeverisë.
 
Kriteret për të përfituar 
Dëmi të jetë më shumë se 100 000 (njëqind mijë) lekë
Duhet të ketë titull pronësie, bashkëpronësie të pronës së dëmtuar, apo të provojë që këtë pronë e ka në proces legalizimi
Në rast se nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës
Prona i është dëmtuar si pasojë e veprës penale, e kryer në dëm të punonjësit të policisë për shkak të detyrës dhe për rastin është referuar në Prokurori
Prona i është dëmtuar aksidentalisht, gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë, për përmbushjen e detyrave zyrtare
 
Dokumentat që duhen
a) Kërkesa me shkrim e punonjësit të policisë që përfiton ndihmën;
b) Kopje të shkresës së strukturës policore për referimin e veprës penale në Prokurori, ose procesverbalit që evidenton ngjarjen aksidentale;
c) Dokumentacioni që provon titullin e punonjësit të policisë mbi pronën e dëmtuar;
ç) Procesverbali i hartuar nga komisioni, si dhe çdo dokument i prodhuar apo administruar nga komisioni për verifikimin e faktit dhe vlerësimin e dëmit.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com