Muaji nëntor sjell ndryshime të rëndësishme astrologjike, me ndikime që prekin jo vetëm marrëdhëniet, financat dhe karrierën, por edhe mënyrën se si përballemi me veten dhe situatat që na rrethojnë. Dy retrogradat e fuqishme, të Mërkurit dhe Venusit, si dhe një vendosje problematike e Hënës së Re, janë disa prej zhvillimeve që, sipas astrologes Denisa Shyle e ftuar në "Rreze Dielli", në Report Tv, do të ndikojnë gjatë kësaj periudhe.
"Nëntori vjen me luftë. Kemi dy retrograda, atë të Mërkurit dhe të Venusit, të cilat do të zgjasin deri më datë 14. Kemi një vendosje problematike të Hënës së Re, më 9 nëntor, e cila shton dhunën, rrit agresivitetin dhe nxjerr në pah njerëzit e pamëshirshëm. Më pas kemi një zbutje të situatës, por Urani sjell një revolucion. Gjatë këtij muaji mund të kuptojmë pse liderët botërorë vazhdojnë të qëndrojnë në krye. Do të përballemi me veten, me njerëzit që kemi zgjedhur dhe të cilëve u kemi lejuar të na udhëheqin. Një tjetër ndikim lidhet me pasojat që po përjetojmë si rezultat i veprimeve të brezave të mëparshëm. Ndaj, ruani veten dhe mos u bëni egoistë", theksoi Shyle.
Dashi
Gjatë këtij muaji do të mbyllni bashkëpunime që nuk kanë funksionuar, dhe kjo mund të ndodhë edhe në jetën personale. Tregoni kujdes për shëndetin fizik dhe shmangni mbingarkesën me punë. Mbani një ritëm të moderuar aktiviteti, në mënyrë që të ruani mirëqenien tuaj. Pjesa e dytë e nëntorit do të jetë më pozitive për ju.
Demi
Pjesa e parë e muajit do të vërë në fokus partneritetet profesionale. Personat me të cilët bashkëpunoni mund t'ju keqkuptojnë, duke sjellë sfida në marrëdhëniet tuaja. Nga mesi i nëntorit, shumë prej problematikave do të fillojnë të zgjidhen gradualisht. Edhe në aspektin personal do të arrini të kuptoni nëse një marrëdhënie funksionon apo jo.
Binjakët
Deri më datë 14 do të prireni të jeni më të tërhequr dhe të mbyllur në vetvete. Përqendrohuni te shëndeti dhe përpiquni të jeni më praktikë në vendimet tuaja. Pas datës 22, vëmendja do të zhvendoset te marrëdhëniet sentimentale dhe partneritetet e reja. Do të arrini ta shihni lidhjen tuaj nga një këndvështrim më mirëkuptues.
Gaforrja
Për ju ky muaj sjell fillime të reja, të cilat këshillohet t'i vini në zbatim pas datës 14. Deri më datë 9, përpiquni të largoni nga jeta juaj gjithçka që nuk funksionon dhe që nuk ju bën mirë. Është momenti i duhur për të lënë pas situatat dhe zakonet e pashëndetshme.
Luani
Nëntori kërkon vëmendje të veçantë në aspektin profesional dhe në karrierë. Tregoni kujdes me vendimet që do të merrni, pasi ato mund të ndikojnë jo vetëm në marrëdhëniet me kolegët, por edhe në jetën familjare. Ruajtja e ekuilibrit do të jetë thelbësore. Pas datës 22 do të keni mundësi të nisni diçka të re.
Virgjëresha
Deri më datë 14 mund të përballeni me disa vështirësi, por njëkohësisht do të merrni edhe mbështetje nga miqtë dhe rrethi shoqëror. Kujdes të veçantë kërkojnë telefonat dhe automjetet, të cilat mund të bëhen burim problematikash. Ky muaj do t'ju sjellë shumë njohuri dhe përvoja të reja. Pas datës 22 do të filloni t'i vini në praktikë ato që keni mësuar.
Peshorja
Gjatë nëntorit do të përfitoni nga mbështetja e miqve dhe rrethit tuaj shoqëror. Është një periudhë e favorshme për të zgjeruar kontaktet dhe për t'u socializuar më shumë. Njerëzit që ju rrethojnë do të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tuaj, duke ju ndihmuar të krijoni më shumë ekuilibër.
Akrepi
Ky muaj do t'ju vërë përballë disa sfidave, por pavarësisht tyre do të arrini të ecni përpara dhe të bëni përparime. Pas datës 9, këshillohet të hiqni dorë nga situatat problematike dhe t'i kushtoni më shumë rëndësi shëndetit. Mund të përjetoni rikthime në jetën tuaj, të cilat do të lidhen me mundësi të reja për të arritur suksesin.
Shigjetari
Deri më datë 22 do të përballeni me një grumbullim të madh informacionesh dhe situatash që kërkojnë vëmendjen tuaj. Është momenti të përballeni me frikërat dhe pasiguritë. Do të keni mundësi të shumta për zhvillim personal, ndërsa pas datës 22 do të hapen rrugë për fillime të reja.
Bricjapi
Tregoni kujdes në marrëdhëniet me miqtë dhe rrethin tuaj shoqëror. Përpara se të ndërmerrni hapa të rinj, analizoni mirë situatat dhe mundësitë që ju paraqiten. Pas datës 14 mund të rikthehen mundësi dhe persona nga e kaluara, me të cilët mund të ndërtoni diçka të re. Ndërsa pas datës 22, fokusi juaj do të jetë te gjërat dhe marrëdhëniet që funksionojnë.
Ujori
Pjesa e parë e muajit mund të sjellë vështirësi si në familje, ashtu edhe në punë. Mund të shfaqni një qëndrim kundërshtues dhe një ego që nuk e shprehni hapur. Përpiquni t'i mbani nën kontroll këto prirje, në mënyrë që të mos krijoni pengesa për veten. Gjithashtu, tregoni kujdes për shëndetin tuaj fizik dhe atë të familjarëve.
Peshqit
Për ju, nëntori pritet të jetë një muaj pozitiv, me mundësi të mira për udhëtime dhe oferta të reja në aspektin profesional. Do të keni disa alternativa përpara dhe sfida juaj e vetme do të jetë të përzgjidhni atë që është më e mira për ju. Fillimet e reja këshillohet t'i ndërmerrni pas datës 14.






Komente
Komento