Ndikimi rus për Ballkanin jashtë BE-së

Ndikimi rus për Ballkanin jashtë BE-së

Rusia në vitet e fundit ka punuar shumë për të kthyer apo për të rritur ndikimin në Evropë, në përgjithësi dhe po ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, vlerësojnë njohësit e fushës së diplomacisë.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, profesor i Diplomacisë në Universitetin IESEG (Shkolla e Menaxhmentit) në Paris, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia, në mënyrë specifike, synon që t’i dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor në dy rrugë, të cilat i aspirojnë ato, anëtarësimin në NATO dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Strategjia aktuale e Rusisë është që të gjitha këto synime të saj – pra, që të pengojë integrimin evropian dhe në NATO, të vendeve të Ballkanit Perëndimor -t’i bëjë përmes aktorëve lokalë. Në këtë moment, Rusia nuk ka ndonjë synim të prezencës së shtuar ushtarake. Mirëpo, të gjitha synimet e saj është duke i arritur duke punuar me tensionet ekzistuese, pra duke i keqpërdorur situatat konfliktuoze në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këtë është duke e përdorur si taktikë që t’i rrisë tensionet dhe t’i prishë relacionet”, thekson Murtezaj.

Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe aktualisht president i Akademisë Diplomatike Shqiptare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndikimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është element i rëndësishëm i gjeopolitikës së Rusisë. Ndër elementet që mundësojnë shtrirjen e këtij ndikimi, sipas tij, janë karakteristikat aktuale që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“Karakteristikat që ka aktualisht rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, faza e tranzicionit të tij, elementet e dukshme të keqqeverisjes në shumë vende në këtë rajon, krizat ciklike të përsëritura, dukuritë e tilla siç janë: korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe dukuritë tjera që provokojnë herë pas herë jo-stabilitet, jo-qëndrueshmëri dhe kriza të formateve të ndryshme, janë të gjitha elemente që i hapin dyert mundësisë për t’u rritur prezenca dhe influenca ruse në këtë rajon”, thekson Bashkurti.

Zëvendës-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, në një intervistë për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, ka thënë se “synimi i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të rajonit është i njëjtë – përparimi. Por, ndikimit rus, në anën tjetër, më shumë i konvenon që në këto vende të ketë korrupsion dhe gjendje të paqëndrueshme”.

Palmer ka shtuar se Rusia, “dëshiron ta shohë rajonin të ndarë dhe me tensione” dhe se ajo “do të vazhdojë me veprimet e saj si deri më tash dhe me ndikim negativ”.

Ai ka përmendur rastin e Malit të Zi në vitin 2016, ku dy shtetas rusë, së bashku me disa të tjerë, kanë bërë komplot për të rrëzuar Qeverinë e Malit të Zi.

Murtezaj thotë se Rusia, në një masë të caktuar, ka arritur të shtrijë ndikimin edhe në disa nga vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Por, sipas tij, Ballkani Perëndimor është aktualisht një arenë e përplasjes ndërmjet Rusisë, në njërën anë, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në anën tjetër.

“Pra, kemi një luftë të ftohtë të shekullit 21, me taktika të reja dhe teknologji të reja, të cilat po i përdor Rusia në këtë rajon. Rusia, në rajon, Serbinë e ka pasur partnerin kryesor lokal dhe në këtë kontekst kanë deklaruar që ‘ne nuk po kthehemi në Ballkan, sepse ne asnjëherë nuk kemi dalë nga Ballkani’”, thekson Murtezaj.

Gjithashtu, mendim të njëjtë ka edhe Bashkurti. Sipas tij, është shumë e dukshme dhe lehtësisht e kuptueshme prezenca dhe ndikimi rus, kryesisht përmes Serbisë.

“Kjo për faktin se lidhja tradicionale, por edhe bashkëkohore e Serbisë me Rusinë, është krejt e dukshme. Madje lidershipi aktual i Serbisë e ka forcuar këtë bashkëpunim me Rusinë në shumë plane dhe po e përdor në njëfarë mënyre, e ndoshta edhe po e shpërdorë peshën ndërkombëtare të Rusisë, për të rritur presionin politik-diplomatik mbi Kosovën. Po e shfrytëzon atë që është rrjeti ndërkombëtar diplomatik i Rusisë për t’i bllokuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës, madje edhe për t’i kthyer disa njohje së prapthi”, vlerëson Bashkurti.

Sidoqoftë, njohësit fushës së diplomacisë theksojnë se është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të reagojë shpejt, në kuptimin e ndihmës për vendet e Ballkanin Perëndimorë, në mënyrë që këto vende të përshpejtojnë integrimet evropiane.

Ata edhe më herët kanë theksuar se shumë elemente që lidhen me strategjinë e politikës së jashtme të Rusisë, por edhe me praktikat që përdor ajo për të realizuar këtë strategji, vërehen edhe në realitetin politik të Kosovës.

Në fushën e ekonomisë, sipas autoriteteve të Kosovës, shtrirja e ndikimit rus, vjen kryesisht përmes Serbisë.

Në Bankën Qendrore të Kosovës nuk janë përditësuar të dhënat, por sipas shifrave të vitit 2016, investimet ruse në Kosovë kanë qenë rreth 2 milionë euro. Ndërkaq, vlera e importit të produkteve ruse në Kosovë, për vitin 2017, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë rreth 7 milionë euro.(REL)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg