TIRANE -  Teksa kryeministri i vendit Sali Berisha festoi sot 22-vjetorin e rrëzimit të bustit Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar siç ai e cilësoi, 3 persona, 3 ish-të burgosur politik të regjimit komunist, e akuzojnë se është ai diktatori i shqiptarëve. Skënder Tufa dhe shokët e tij ish-të burgosur politik përndiqen çdo ditë dhe që mbas grevës së urisë për ta nuk ka më qetësi.

Sot, më 22-vjetorin e rrëzimit të diktaturës, Tufa rrëfen në studion e lajmeve të televizionit A1 REPORT se për plot 8 orë janë mbajtur në ambientet e komisariatit numër 1, pasi së bashku me Petrit Lipon dhe Besim Valterin u panë në rrugët e kryeqytetit me disa qese me miell, vezë e sheqer në duar.

“Do bënim revani për ta ndarë për festën, do ndanim copa të revanisë para shoqatës së ish-të përndjekurve politike”, -kështu është shprehur Skënder Tufa, kreu i shoqatës i cili ndihet i përndjekur edhe në ditët e demokracisë shqiptare.

Ai tregon se sot, teksa bënin përgatitjet për të festuar shembjen e diktaturës mbi 10 makina polo i ndiqnin nga mbrapa, derisa më tej policët i ndaluan për t’i thënë se duhej t’i shoqëronin në komisariat. “Kemi shkelje ligjore”, -tregon t’i ketë pyetur Tufa. “Jo kemi urdhër t’ju marrim”, thotë se iu përgjigjën policët.

Të indinjuar dhe të zhgënjyer nga kjo demokraci e një kryeministri që vepron hapur si një diktator, siç e quajnë ata, Tufa me 2 ish-të përndjekurit e tjerë nga studio e A1 REPORT, me ironi deklaruan se nëse për ta janë të ndaluara veprimtari të tilla si kalimi në bulevard dhe blerja e vezëve, kjo gjë t'i thuhet me shkrim.

"Nëqoftëse për ne është e ndaluar të blejmë vezë dhe të kalojmë në bulevard na e jepni me shkrim: “Ju parandalojmë që mos të bëni ndonjë veprim”. “Është e disata herë që rajoni i policisë na ndalon pa bërë asnjë veprim. Ne jemi për shtet ligjor”, tregon më tej Tufa.

Ndërkaq, Skënder Tufa sjell në vëmendje edhe grevën e urisë së ish-të burgosurve politik të zhvilluar për plot një muaj më shtator-tetor 2012 në ambient të hapur në çadrat e urisë të cilat u vendosën në fokus të vazhdueshëm të mediave shqiptare, por që njëkohësisht tërhoqën edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve. Kjo për faktin se për 30 ditë qeveria, ndaj së cilës drejtoheshin kërkesat e tyre, ndër kryesoret dëmshpërblimi për vitet e burgut në komunizëm, u tregua indiferente jo vetëm duke mos i vizituar por vetë Kryeministri Berisha i quajti bixhozçinj.

Sipas Tufës kërkesat e tyre si ish-të përndjekur të regjimit u bënë të qarta gjatë grevës, e për këtë arsye është e pajustifikueshme sipas tij që mos të shihen thjesht si qytetarë.

“Kërkesat tona ne i kemi bërë në grevën e urisë. Ne sot flasim si qytetarë, dhe e ngremë zërin si qytetarë...veprimi kundër nesh dëshmon se në Shqipëri nuk ka një demokraci që kemi kërkuar me vitet tona të burgut, me protesta, me grevë urie”, tha Tufa.

Ndërkohë, ndaj Partisë Demokratike, me një gjuhë të prerë dhe deri diku me urrejtje e dhimbje e cila duket se ende nuk është shuar që nga vdekja e Lirak Bejkos, ish-grevistit që ndërmori aktin ekstrem të vetëflijimit, Tufa tha se nuk mund të ketë më kurrë urë bashkëpunimi mes tyre.

“PD në mes ka gjakun e Lirak Bejkos, gjaku i tij është një urë e pakalueshme mes të burgosurve politik dhe PD, kush i jep votën PD është spiun i vjetër i diktaturës dhe bashkëpunëtor i krimit të sotëm të Berishës”, theksoi Tufa.

Ish-të përndjekurit politik janë shoqëruar edhe më parë në polici, rasti më i fundit ishte ai i 1 Nëntorit të vitit të kaluar, ditë kur shefja e diplomacisë amerikane, Hillary Clinton erdhi në Tiranë. Ata u shprehën se thjesht donin të përshendesnin ish-sekretaren amerikane të Shtetit, ndërsa policia i shoqëroi në komisariat me pretendimin se do të zhvillonin protesta.

skdenr tufa studio
(Foto, Skënder Tufa, Petrit Lipo, Besim Valteri dhe gazetari Edvin Parruca në studion e A1 REPORT!)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)