Gjatë lidhjes direkte të kryetarit të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapajt, me emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” në Report Tv, ku ai ritheksoi sërish qëllimet e protestës thuajse 80-ditore para kryeministrisë, pati edhe një diskutim me kryetarin e “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qorin.
Ky i fundit u pyet nga Babaramo pse nuk ka zgjedhur t’i bashkohet protestës së Lapajt, Berishës apo të dyve. Sa për Berishën, Qori tha se s’pranon të komprometohet me hajdutët, ndërsa ideja e Lapajt për qeverinë teknike, është “t’u varësh ujqve mëlçitë në qafë”.
-Përse nuk i bashkoheni kësaj qëndrese, këtij fronti? Me Lapajn, Berishën ose të dy?
Arlind Qori: Le të merremi me Berishën se është një ftesë e përsëritur, ka vite që hidhet dhe përgjigja ka qenë gjithmonë jo. Ne nuk u vëmë kushte hajdutëve, ne distancohemi nga hajdutët, nuk i lejojmë kurrë vetes të komprometohemi me të gjithë ata që meritojnë të jenë në burg. Ideja jonë për të dalë nga kriza është që përmes protestave shoqëria i imponon dorëheqjen Ramës dhe ti duhet sa më parë t’i japësh goditjen e dytë për ta nxjerrë knock out. Çdo ide për qeveri teknike, pavarësisht qëllimeve të mira, do të thotë bashkëqeverisje Rama-Berisha. Po ua vare ujqve mëlçitë në qafë, u ke mundësuar t’i prishin ligjet më keq se ç’i kanë prishur, Reformën në Drejtësi dhe atë Territoriale.
Adriatik Lapaj: Konstatoj një lloj qasjeje në komunikim që nuk i shkon një pedagogu. Gjithsesi, sa i takon argumentit politik, kam këtë qasje. Unë dhe kushdo që ka dy pare mend nuk mund t’u thotë shqiptarëve që 500 mijë që kanë votuar PD janë të korruptuar. Demokratët e ndershëm të këtij vendi janë njerëz që duhet bashkëpunuar dhe Shqipëria ka nevojë sot! Ne e kemi bërë të qartë, nuk ka bashkëpunim me lidershipin e asaj partie, por me demokratët dhe njerëzit e ndershëm duhet të ketë sepse duhet të ketë një front qytetar, zgjidhja duhet sot! Lidhur me zgjedhjet e parakohshme, unë nuk thashë qeveri teknike. Ne na duhen më të mirët që kemi, përtej partive, t’i marrim për të krijuar një qeveri tranzitore me afat 12-mujor. T’i lësh Edi Ramës zgjedhjet e parakohshme është krimi më i madh që mund t’i bëjmë atdheut tonë!
Në një moment tjetër të bisedës, mes dy drejtuesve të partive opozitare, pati edhe një debat lidhur me deputeten e “Shqipëria Bëhet”, Ana Dajkon duke shkuar edhe në ngritje të toneve mes tyre. Qori e akuzoi Lapajn se ka lidhje farefisnore me të dhe guxon të shesë moral, ndërsa kryetari i “Shqipëria Bëhet” e sfidoi haptazi.
Lapaj i tha Qorit ta vërtetojë këtë lidhje dhe ai do të tërhiqet nga politika ose në të kundërt, Qori duhet t’i kërkojë falje.
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, është përplasur ditën e sotme në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV me kryetarin e Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj.
Gjatë fjalës së tij, Qori e akuzoi Lapajn se po bashkëpunon me kryedemokratin Sali Berisha, të cilin kreu i Lëvizjes Bashkë e cilësoi si një të keqe të madhe të vendit.
“Çdo parti është e hapur për votuesit e partive të tjera. Por Lapaj për të justifikuar bashkëpunimin me PD-në, që do të thotë me Sali Berishën, pavarësisht se mund të fshihen sa të duash pas gishtit, argumenti ishte se kjo parti ka marrë 500 mijë vota. Por unë iu kujtoj që PS ka marrë edhe më shumë vota dhe sipas këtij këndvështrimi zotëria do të duhet të shkonte të bashkëpunonte edhe me Ramën. Siç vajti të bashkëpunojë bashkëkryetari i koalicionit të tij, Endri Shabani, ose një tjetër që donin ta fusnin në lista dhe e emëroi Rama drejtor, ky ish-deputeti i Peqinit. Pra argumenti që kjo parti herën e fundit ka marrë kaq vota dhe kjo përligj bashkëpunimin me strukturat e korruptuara të kësaj partie, nuk shkon logjikisht dhe moralisht.
E dyta, ti mund të duash të të qeverisë edhe Babagjyshi i Vitit të Ri, mund të duash edhe 12 shenjtorët të zbresin nga qielli, t’i bëjmë 12 ministra edhe të vëmë një kryeshenjtor në krye të qeverisë. Por këto janë dëshira në erë, sepse nuk mundet një parti që të emërojë ministra, kryeministra dhe të miratojë edhe ligjet që do bëjë kjo qeveri tranzitore, pa kuptuar që votat në Parlament për ta votuar kush i ka? A do e votojë Rama me Berishën? Për pasojë do e kontrollojë Rama dhe Berisha. Këtë e kemi provuar në 2017, kur vajti Lulzim Basha në qeveri teknike dhe mori rezultatin më të ulët historik. Nëse ne do të kemi fuqinë për ta goditur Ramën, ai duhet goditur menjëherë me zgjedhje të parakohshme dhe do të bjerë nga pushteti”, tha mes të tjerash Qori.
Lapaj i tha se nuk kishte bashkëpunuar kurrë me Berishën, pasi sipas tij, sa herë PD protestonte, ai largohej nga sheshi. Madje Lapaj akuzoi Qorin për bashkëpunim me Berishën, duke thënë se përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë në Parlament votoi projektligjin e Tabakut.
“Unë s’kam bashkëpunuar me Berishën, sepse jam këtu në shesh dhe sa herë që ai vjen, unë kam ikur. Por Qori këtë javë ka bashkëpunuar me Berishën. Qori ka votuar një ligj të propozuar nga PD këtë javë, e dini apo jo? Përfaqësuesi i Qorit ka votuar një projektligj të propozuar nga Tabaku, që ishte një ligj i propozuar nga një deputete e PD-së”, tha Lapaj.
Këtij pretendimi Qori iu përgjigj se Tabaku kishte marrë programin e Lëvizjes Bashkë copy paste dhe kishte propozuar në Kuvend statusin e minatorit. Votimi sipas Qorit ishte për parimin, jo për atë që e propozoi.
“Deputetja e Lëvizjes Bashkë ka marrë copy paste programin e Lëvizjes Bashkë për Statusin e minatorit, për të cilin ne kemi mbledhur mijëra firma vite më parë dhe ne e kemi detyrim moral që kur vijnë propozime si statusi i minatorit apo minimumi jetik, ne do të votojmë për to sepse besojmë te parimi. Për statusin e minatorit do ta votojmë orë e çast, edhe sikur dreqi vetë ta propozojë”, shtoi Qori.
Deputetja Ana Dajko u kthye në ‘mollë sherri’ midis Adriatik Lapajt e Arlind Qorit. Kryetari i “Lëvizjes Bashkë” tha se Lapaj, i cili ndodhet në lidhje direkte me “5 Pyetje nga Babaramo” në Report Tv, ka bërë familjaren e tij (Dajkon) deputete. Drejtuesi i “Shqipëria Bëhet” e kundërshtoi këtë duke i hapur edhe një sfidë Qorit: nëse vërteton lidhje farefisnore mes tij e Dajkos, do të tërhiqet nga politika, në të kundërt pret falje publike.
Arlind Qori: Zotëria ka bërë një lëmsh të madh, ka takuar gjithë votuesit e vet dhe ka bërë familjaren e vet deputete! Dhe zotëria tani ka guximin moral të më flasë mua për ego! Ai i cili bëri lëmsh dynjanë, tradhtoi ata njerëz që kanë votuar partinë a koalicionin që drejtonte dikur, jep tani leksione moraliteti duke pranuar të bëjë strategji e veprime të përbashkëta me njerëz që e kanë vendin burg që janë Edi Rama, Sali Berisha apo Ilir Meta!
Adriatik Lapaj: Po ti ke bashkuar votat me Ilir Metën mo! Unë e sfidoj z. Qori, nëse ai vërteton që Ana Dajko ka lidhje me mua deri në brez të shtatë, unë tërhiqem nga politika, por nëse kjo që the nuk është e vërtetë, ti do të kërkosh falje publike!
Arlind Qori: Vërtet? Po çfarë është?
Adriatik Lapaj: Ana Dajko nuk është e afërmja ime!
Arlind Qori: A thatë ju që do të vendosni familjarët që të keni besim te ta?
Adriatik Lapaj: Mos gënje para popullit!
Arlind Qori: Nuk të kam bërë biografinë, të gjithë thonë që është tezja juaj. Na e sqaro, çfarë është zonja? Kushërira, halla, tezja e kujt është?
Adriatik Lapaj: Ti je kryetar partie dhe s’mund të flasësh me çfarë thotë populli lart e poshtë!
Arlind Qori: Kjo është hera e parë që po e mohon që e ke teze!
Adriatik Lapaj: Ty duhet të të peshojë fjala!
Arlind Qori: Çfarë e ke se ke thënë do vëmë familjarët. Dajko, familjarja e kujt është? Ma sqaro!
Adriatik Lapaj: Ne listat e mbyllura nuk donim t’i pranonim, i dogjëm. Mos gënje! Tha që e afërmja ime, gjasme tezja ime është deputete. Ana Dajko nuk ka lidhje me mua deri në brez të shtatë! Të kesh turp!
Komente











