Sa mirë do të ishte sikur shefi i qeverisë të mos e shpupuriste më çështjen e vizitës së homologut të tij serb në Kosovë. Por, ç’e do. Hashim Thaçi të hënën u mundua të mbulojë poshtërimin që ia bëri të shtunën Ivica Daçiq vetë atij dhe institucioneve që drejton.

Madje, i pari i ekzekutivit e mbrojti Daçiqin duke thënë se “nuk e ka shkelur marrëveshjen” e madje edhe e falënderoi për thirrjen që ua paska bërë ky serbëve kosovarë që të dalin në zgjedhjet lokale dhe të jenë kështu, sipas tij, pjesë e institucioneve të Kosovës.

Nëse i lexojmë në mes të rreshtave, deklaratat e kryeministrit serb mund të kenë qenë ftesë për inkorporimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës (ani pse ashiqare ai u bëri thirrje ta marrin pushtetin dhe të punojnë për Serbinë).

Por a duhet që ne të dorëzohemi para tentimit të Hashim Thaçit për të shqepur mjegull dhe të bëhemi sikur po e harrojmë thelbin e çështjes – se kjo vizitë, e Ivica Daçiqit pra, nuk kishte bash kurrgjë të “karakterit religjioz”, siç mundohej ta arsyetonte lejen që kinse ia paska dhënë homologut të tij për të ardhur në Kosovë. E të mos flasim më për atë “arsyen” tjetër se këso vizitash qenkan të parapara me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes. Sikur të ishte kështu, pse Thaçi në emër të kësaj marrëveshjeje nuk shkon të falë ndonjë “xhuma”, për shembull, në Konçul?

Në fakt, vizita e shefit të qeverisë serbe ishte e imponuar. Sipas të gjitha gjasave, ai nuk e kishte në plan të vizitonte Kosovën. Pak pse s’kishte ndonjë arsye të fortë, e pak për të mos bërë shpenzime në kohën kur vendi i tij nuk i ka punët mirë me financa. Por, e ndollën. Me disa deklarata çamarrokësh, Se nuk mund të vijë, se do të kthehet mbrapsht, se nuk do t’i lejohet hyrja… E bënë borxhli njeriun.

Për t’u treguar këtyre rrahagjoksëve të mjerë se nuk i bën hesap ata dhe vendimet e tyre, ish-zëdhënësi i kasapit të Ballkanit çoi paraprakisht në Kosovë dy ministra të tij. Për njërin (ministren e Energjisë) u tha se kinse i paska respektuar kriteret, prandaj i është dhënë leja për të hyrë brenda territorit tonë.

Për një tjetër (ministrin pa portofol, Aleksandar Vulin), këta qeveritarët tanë e bënë gjoksin gropë duke e rrahur me grushte teksa mburreshin se ia kanë refuzuar lejen për të hyrë, sepse në vizitën e fundit që ka pasur paska shkelur kriteret… Dhe atë ditë e pamë Vulinin, i cili jo që e realizoi pa asnjë pengesë ardhjen por edhe i ra kryq e tërthor veriut, madje duke folur me përçmim për “institucionet e përkohshme të Prishtinës”, të cilat nuk i pyet dhe se për hyrjen ose mos-hyrjen e tij vendos EULEX-i.

E kulmi i injorimit dhe i poshtërimit të institucioneve shtetërore të Kosovës u arrit të shtunën, Ivica Daçiq nuk ua vari paralajmërimeve të Prishtinës zyrtare, se vizita e tij do të jetë “strikt religjioze” e assesi me premisa politike. Kryeministri serb foli për politikë bash ç’i ra ndër mend. E religjioze nga kjo vizitë ishin veç kleri dhe kisha, prej nga ai "predikoi" 100 për qind politikë.

Kurse, ata që kishin kërcënuar se do ta pengonin vizitën e tij, u palosën, u strukën, u zhdukën. Pse nuk u doli "falli", përgjegjësinë e hidhnin sa te njëri te tjetri. "Tash për këtë unë nuk jam përgjegjës. Këtë kompetencë e ka ai tjetri", thoshte ish-përgjegjësi. Ky i riu, i pyetur se çka do të bëhet tash mbasi Daçiqi kishte mbajtur fjalime politike, nuk kishte kohë të përgjigjej, ngase "jam në fushatë".

Përfundimisht, vizita e së shtunës e Ivica Daçiqit nuk ishte aq shumë e dedikuar për serbët e këtushëm sa për t’i poshtëruar rrahagjoksët kosovarë. Edhe pak trimëri kishte në vizitën e tij. Trimëri e ujkut, i ndjellë në torishtë.