Sekretari për Çështjet Zgjedhore i Partisë Demokratike, Ivi Kaso thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hapë vetëm 11 kuti ku ka siguri se nuk ka ndryshim të votave. Kjo sipas tij bëhet për të fshehur manipulimin e 30 qershorit.
"Nën shembullin e ndritur të "marifetit" me Idajet Beqirin, KQZ ka vendosur që nesër, në vijim të një kërkese ankimore për Bashkinë Lezhë, të hapë dhe të kontrollojë rregullshmërinë e procesit të 30 Qershorit vetëm për 11 qendra votimi ku PS ndihet e sigurt që s'ka pasur manipulime. Qëllimi, jo fort i fshehur është që t'i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin. Ajo që e nxjerr blof këtë skemë farsë "dorëzimi të kontrolluar" është se nga frika se mos del në shesh manipulimi me listat e zgjedhësve, në këto qendra, KQZ ka vendosur të mos ta hapë fare kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, thënë shkurt e me dy fjalë: Proces farsë për t'u hedhur hi syve njerëzve!", thotë Kaso në një reagim në emër të PD-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot të pranojë kërkesën e kandidatit për bashkinë e Lezhës, Eduard Ndocaj nga Partia Konservatori, i cili kërkoi konkretisht hapjen e kutive në 11 qendra votimi me dyshimet se ka më shumë vota sesa votues.