Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK Albania) i ka bërë thirrje Kuvendit dhe KQZ që të rimarrë në shqyrtim kandidaturën e Eduart Ndocaj për kryebashkiak në qytetin e Lezhës. KRIIK njofton në një deklaratë për mediet se në dokumentacionin e paraqitur nga Ndocaj ka pasaktësi.
Për regjistrimin e një kandidati në KQZ, nevojiten dy dokumentacione të lëshuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Bashkiak, në këtë rast nga qyteti i Lezhës. Këta të fundit kanë deklaruar se në 6 muajt e fundit në Këshillin Bashkiak ka qenë një anëtar nga Partisë Konservatore Shqiptare. Bëhet fjalë për Petrit Ndreun.
Por Shqiptarja.com mëson se pasaktësitë që mendohet të lidhen me këtë vërtetim të Këshillit Bashkiak Lezhë kanë të bëjnë me faktin se Ndreu e ka fituar vendin në këtë Këshill nën siglën e një partie tjetër dhe më pas ka deklaruar publikisht se ka kaluar me Partinë Konservatore Shqiptare. Sipas ligjit, mjafton prania e një anëtari në Këshillin Bashkiak që një Parti të dorëzojë kandidatin e saj për kryebashkiak.
Vetë Kandidati për Bashkinë e Lezhës, Eduart Ndocaj, i kontaktuar nga Report tv u shpreh nuk ka asnjë parregullsi në regjistrimin e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garën lokale të 30 qershorit si kryebashkiak. Ai u shpreh se këto janë sulme politike dhe prapa tyre qëndron kandidati socialist për Bashkinë e Lezhës Pjerin Ndreu.
Mësohet se deri më tani nuk është bërë asnjë ankimim në Kolegjin Zgjedhor për vendimin e KQZ që zyrtarizoi kandidaturën e Ndocaj.