Ish-deputeti “Kaubojs” Eduard Ndocaj ka sqaruar për Report Tv të vërtetën e ndalimit të tij nga policia në portin e Durrësit. Ai mohon që të jetë marrë në pyetje nga blutë, ndërsa sqaron shton se padia në ngarkim të tij është bërë nga një shtetas italian i cili sipas tij vuan nga probleme mendore.

Ndocaj ka dyshime gjithashtu se personi në fjalë po përdoret politikisht, pasi sipas tij rezulton të jetë mik me kryeministrin Edi Rama. "Nuk është e vërtetë që jam ndaluar nga policia. Për momentin jam në Itali dhe po darkoj me familjen time. Akuzat e pretenduara ndaj meje nuk janë të vërteta. Personi që më ka kallëzuar është një i sëmurë psikik i cili vuan nga alzhaimeri. Është mik i kryeministrit Rama dhe po përdoret politikisht", u shpreh Ndocaj për Report Tv.  

Edhe pse Ndocaj mohon të jetë ndaluar, të kundërtën thotë policia. Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, policia sqaron se Eduart Ndocaj, 42-vjeç, u ndalua në Portin e Durrësit dhe dyshohet se i ka vjedhur një shtetasi italian një shumë eurosh. "Më datë 09.10.2017, në PKK Port, Durrës, u kap shtetasi në kërkim E.N, vjeç 42, banues në Manati Lezhë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit në Itali, i ka vjedhur një shtetasi italian një shume eurosh. Ne përfundim te veprimeve te kryera nga D.V.P Lezhe ndaj shtetasit E.N u referuan materialet ne Prokurori dhe ndiqet ne gjendje te lire për veprën penale parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal", thuhet në njoftimin e policisë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com