Mbetjet e ngurta dhe ujërat e zeza janë kërcënimi më i madh për liqenin e Ohrit. Në bregun liqenor nga qyteti i Pogradecit deri në fshatin Lin është 5-fishuar sipërfaqja e kallamishteve.

"Prania e shtuar e kallamishteve tregon plakjen e liqenit. Ka një veçanti ky liqen se rigjeneron ujin e tij njëherë në 60 vjet dhe shfaqja e kallamishteve të liqenit tregon plakjen e liqenit. Këto 30 vitet e fundit është rritur artificialisht mosha e liqenit", u shpreh  Avni Myrte specialist i mjedisit.

 Shkaqet janë të njohura prej vitesh, por mungon ndërhyrja e institucioneve. Ujërat e zeza të fshatrave Leshnicë, Çeravë  dhe Hudenisht përmes lumenjve derdhen në liqen.

"Kjo bën që uji të ndotet, kjo vjen nga baseni ushqyes, prerja e pyjeve dhe më kryesorja: Ujërat e lumenjve që e ushqejnë liqenin janë të ndotur, ujërat e zeza", tha Myrte.

Njerëzit u vënë zjarrin kallamishteve duke shkaktuar ngordhjen e peshqve.

Specialisti i mjedisit, tashmë në pension Avni Myrte thotë se trajtimi i ujërave që furnizojnë liqenin, pyllëzimi dhe ndërgjegjësimi i banorëve janë domosdoshmëri.

"Shteti, institucionet vendore e qendrore duhet të marrin masa për pyllëzimin mbrojtjen e pastërtisë së ujërave", thekson ai.

Ministria e Mjedisit në vitin 2017 miratoi Planin 10 vjeçar të Menaxhimit, ku i pari në listë renditej risku i ndotjes. Kanë kaluar 5 vite dhe ky plan ka mbetur në letër. Aty renditen dhe institutet përgjegjëse për ta zbatuar siç janë Bashkia e Pogradecit dhe tre dikastere: Mjedisi, Bujqësia dhe Kultura.