Partia e Lirisë kërkon miratimin e një moratoriumi për të gjitha ndërtimet që kryhen pa studim urbanistik në Tiranë.
Anëtari i këshillit Bashkiak Artan Distafa thotë se për shkak të ndërtimeve pa kriter, Tirana është kthyer në një kryeqytet të ndotur e kaotik.
“Tirana është një nga qytetet më të ndotura në rajon. Nivelet e ndotjes së ajrit tejkalojnë shpesh normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve tanë, veçanërisht të fëmijëve. Ndërkohë që qyteti mbytet nga trafiku dhe ndotja, lejet e ndërtimit vazhdojnë të jepen pa asnjë kufizim real. Më shumë ndërtime, më pak hapësirë, më shumë beton, më pak frymëmarrje.
Një model që nuk investon në transport publik, sepse nuk i sjell fitime të shpejta klientelës. Prandaj ne, si grup i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, kërkojmë pa asnjë kompromis moratorium të menjëhershëm për ndërtim pa studim të plotë urbanistik.
Publikimin e çdo leje ndërtimi dhe lidhjeve të saj me interesat private. Investime urgjente në transport publik, funksional dhe të përballueshëm. Plan konkret për uljen e ndotjes dhe rritjen e hapësirave të gjelbërta”, tha mes të tjerash Artan Distafa.
Komente












