KAVAJË- Në mes të sezonit turistik në vijën bregdetare të Kavajës vijon ende ndotja e plazheve publike, ndonëse të mbushura me pushues që po kalojnë pushimet. Report Tv, me gazetarin Aldo Mustafa bëri një vëzhgim në vijën bregdetare ndërsa sjell problematikën e ndotjes në mes të plazhit të Golemit, ku ujërat e zeza derdhen në det.

Dyshohet se ujërat e zeza derdhen nga bizneset në vijën bregdetare, të cilët me papërgjegjshmëri nuk i derdhin në kanalet e ujërave të zeza, por në det duke ndotur ujin, por edhe duke u kthyer në një rrezik për sëmundje për pushuesit që lahen.

Për Report Tv, pushuesit shprehin indinjatën për këtë ndotje, ndërsa disa prej tyre thonë se nuk kanë mundësi ekonomike të shkojnë në plazhe të tjera dhe janë të detyruar që të frekuentojnë plazhin publik edhe pse po bëjnë pushime mes fekaleve.

“Shumë dobët. Magari e madhe është me ardh këtu dhe me pa këtë. Jam kosovar. Kurrfarë pastërtie. Jam këtu që dy ditë. Do rrimë 10 ditë. Do ikim prej këtu, shiheni dhe ju vetë se çfarë mbeturinash ka.

Dita e dytë e plazhit, do rri 10-12 ditë. Ç’të bëjmë, nuk na mban xhepi të shkojmë diku tjetër. Gjendja aspak e mirë. Nuk e di”, thonë pushuesit.

Reagon kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja
Report Tv mori edhe një reagim nga kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja për këtë situatë, i cili ka dy javë në detyrë. Në një bisedë telefonike ai u shpreh se ende nuk është identifikuar se nga cili biznes shkaktohet ndotja, por po punohet.

“Ditën e hënë kam kërkuar një mbledhje me AKUM Durrës (Agjencia Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve të Ngurta) që është institucioni përgjegjës për kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza në gjithë territorin. Po kështu do të diskutojmë dhe për një task-force me të gjitha institucionet për bregdetin”, tha Qosja për Report Tv.

Dy vite më parë qeveria investoi 13 miliardë lekë për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në Kavajë, por problematika nuk është zgjidhur. Në qershor 2023 ujërat e zeza vazhdojnë të përfundojnë në det, duke rrezikuar rëndë shëndetin e qindra pushuesve.