Ndreca: Molotovi presidencial!

Ndreca: Molotovi presidencial!

Çfarë ndodhi dje? Juridikisht asgjë. U deklarua për mediat një paçavure juridike, si disa të tilla, të bëra ka do kohë, nga bujtësi i pallatit presidencial.

 Politikisht? Po, kishte një të re. Dje protestës iu bashkua edhe Ilir Meta dhe hodhi “molotovin” e tij në fushën politike. Dje, bujtësi i presidencës hoqi maskën, zhveshi mantelin presidencial dhe tentoi me “molotovin” e tij t’u djegë mundësinë shqiptarëve të votojnë.

Juridikisht ky akt nuk thotë asgjë. Është një akt nul, që nuk prodhon e nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Presidenti nuk ka në dorë të drejtën sovrane të qytetarëve për të zgjedhur. Ai thjesht përcakton datën e zgjedhjeve, kompetencë të cilën e ka ezauruar e nuk mund ta ushtrojë më. Është pikërisht kjo date që percakton momentin se kur fillon periudha zgjedhore, se kur organet e administrimit zgjedhor e marrin në dorë administrimin e të drejtës së votës të qytetarëve. Çdo akt juridik, përfshirë edhe “molotovin” presidencial, gjatë kësaj periudhe, vlerësohet si ndërhyrje në procesin zgjedhor e për rrjedhojë vlerësohet e shqyrtohet nga organet e administrimit zgjedhor. Mjafton një seancë plenare e KQZ-së, që vlerëson pamundësinë e aktit të presidentit të ndërhyjë në zgjedhje, dhe gjithçka juridikisht mbyllet këtu. Procesi zgjedhor është i pandalshëm juridikisht, pasi ai tashmë është në duart e administratorëve dhe të qytetarëve, askujt tjetër.

Por, dje, sigurisht lajmi ishte politik. Dje ndodhi rreshtimi në ballë të protestës edhe i bujtësit presidencial. Jo me banderola, jo me blic telefoni apo kangjella burgu, por me dekret presidencial.

Nuk ka dyshim, që një akt i tillë i tij ka shkelur të paktën 4 dispozita kushtetuese në mënyrë flagrante, ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se janë të gjitha kushtet që Presidentit të Republikës t'i fillojë një procedurë shkarkimi.

Por, unë mendoj se bujtësi i presidencës duhet të marrë nga kjo mazhorancë përgjigjen që ai meriton. Ilir Meta bëri një akt të pastër politik, aspak juridik apo kushtetues, mazhoranca duhet t'i përgjigjet po me një akt politik. E akti më i fortë politik i një mazhorance është mëshirimi.

Kjo mazhorancë nuk duhet ta shkarkojë por thjesht duhet ta mëshirojë bujtësin e pallatit presidencial, pasi ai nuk di se ç'bën. Duhet t'i vendosë në ballë vulën e injorimit e të moskonsiderimit. Ai duhet lënë aty ku është e ashtu siç është, si një dëshmi e kristaltë e faktit sesa i shëmtuar ngjan në sytë e qytetarëve një bujtës i atij pallati të shenjtë, kur vesh fustanin e partisë e zhvesh frakun e shtetarit.

Ai duhet të mos ngacmohet e më pas të harrohet në lundrimin e tij të qetë në barkën opozitare. Ai duhet të marrë, ashtu si edhe Luli e Mona, përgjigjen më 30 qershor. Ai duhet ta marrë përgjigjen të fortë e të qartë nga zgjedhësit e këtij vendi, që duan të ushtrojnë përgjësitë e tyre kushtetuese.

Qytetarët e dinë shumë mirë se çfarë po bën bujtësi presidencial, e kanë shumë të qartë që presidenca nuk ka më president, por ka thjesht një banor të saj. Lëreni të shijojë salltanetet e atij pallati e bashkë me të të marrë vulën e turpit të shqiptarëve, të cilëve po tenton t’ua pengojë rrugën drejt kutive të votimit.

Ne e dimë që ai është i bezdisur me detyrën e tij, atij ajo detyrë e lartë nuk i thotë asgjë, nuk e frymëzon më, madje ai ka filluar ta urrejë atë (aktet e tij e dëshmojnë këtë).

Mos ia jepni kënaqësinë e të shpallurit viktima e radhës opozitare. Mos ia jepni kënaqësinë e marrjes së këtij titulli nga dollapët e sirtarët e tjerë opozitarë. Mos e bëni Allende kur ai është thjesht një banor i mërzitur e I dëshpëruar me madhesinë e banesës së tij hijerëndë, jo komode dhe të parehatshme, pasi ajo godinë shpreh madhesinë e shtetit e kombi tonë. Ilir Meta përditë e më shumë humbet në madhësinë e pallatit tone presidencial, ai nuk është më presidenti ynë, uniteti ynë jo e jo.

Lëreni, injorojeni, harrojeni. Ai do dalë vetë nga ajo godinë, pasi më shumë se këdo tjetër ajo bezdis bujtësin e saj, të mësuar të shikojë nga të çarat e frëngjive të LSI-së e jo nga madhësia e dritareve plot dritë të shtetit e kombit të tij.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hinglateri: 09/06/2019 16:49

    Presudenti fuhet lene ne renie te lire deri sa te bjer ne gropen septike.Aty do ndjej kenaqesin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Qeveria në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë këngëtares Simaku! Balla kontakte me Konsullatën në Nju Jork për t'i siguruar pasaportë

Qeveria në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë këngëtares Simaku! Balla kontakte me Konsullatën në Nju Jork për t'i siguruar pasaportë