TIRANË - Ndryshime masive pritet të ndodhin javët e ardhshme në radhët e drejtuesve të prokurorive në vend, një nevojë e lindur për përmirësimin e rezultateve në ndjekjen penale, por jo vetëm. Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla thotë se prokurorë të ndryshëm kanë vite në pozicione drejtuesish e  zv.drejtorësh si në prokuroritë e rretheve ashtu edhe në Apel.

Por ky riformatim pritet të prekë edhe prokurorinë e Përgjithshme, ku analizat vjetore në fillim të vitit 2016, kanë nxjerrë në pah problematikat në aktivitetin e këtij institucioni, ku pritet të ndodhin edhe ndryshimet.
 
"Është vlerësuar si domosdoshmëri rifreskimi i një pjese të strukturës së Prokurorisë, proces i cili pritet të realizohet periodikisht në ditët dhe javët e ardhshme. Riorganizimi do të realizohet në disa faza, ku fillimisht po shqyrtohen mundësitë në ato njësi të Prokurorisë, në të cilat vlerësohet se ka nevojë për ndërhyrje në një kohë sa më të shpejtë", thanë burimet për Shqiptarja.com.

Nuk dihet nëse lëvizjet e parashikuara në prokuroritë e rretheve kanë lidhje me dorëheqjet e dy ditëve më parë të katër drejtuesve të organit të akuzës në Lezhë, Përparim Vukaj, në Dibër, Esmeralda Cami, në Përmet, Silvana Pani dhe në Tropojë, Artan Shtrungza.
 
Katër prokurorët e dorëhequr mendohet se do të transferohen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. 

 
Redaksia online
Gre.M/Shqitparja.com