Besmir Beja është larguar nga drejtimi i Doganave pas afro 10 muajsh në detyrë. Në vend të tij është propozuar Fation Shehu, emërimi i të cilit pritet të zyrtarizohet të premten në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Shehu ka drejtuar Antikontrabandën për katër vjet. Vitin e kaluar, ai mori çmimin e parë nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC) për rezultatet në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.

Në një mesazh drejtuar punonjësve të Doganave pas largimit, Beja bëri bilancin e punës, duke veçuar projektet për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe gjurmimin e karburanteve. Sipas tij, nga janari në tetor 2026, penalitetet e vendosura nga Antikontrabanda arritën në 33,5 milionë lekë, nga 5,5 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa referimet në prokurori u rritën nga 17 në 31.

Beja tha se në të njëjtën periudhë të ardhurat doganore arritën në 207 miliardë lekë, 7,6 miliardë më shumë se një vit më parë. Ai falënderoi qeverinë, ministrin e Financave dhe punonjësit e Doganave për bashkëpunimin.


Lajmi kryesor:

Dorëhiqet kreu i AKEP, Gentian Sala! Ikën edhe drejtori i Doganave pas 10 muajsh në detyrë, ja kush e zëvendëson