Vlore- Pushimet për qeverinë kanë mbaruar. Që prej së hënës ministrat dhe stafet e tyre janë kthyer në punë, ndërsa sot i pari i qeverisë Edi Rama i ka mbledhur në një takim informal pune. Siç mëson Shqiptarja.com dhe Report Tv takimi u mbajt në vilën qeveritare në Vlorë dhe nisi rreth orës 10:00.

Takimi u fokusua tek analizia e 300 ditëshit të parë të mandatit të dytë të qeverisë Rama, ndërsa për të mbyllur bilancin e tyre dhe për të përcaktuar objektivat e 300 ditëshit të dytë, Rama do të ketë asistencën e kompanisë së ish-kryeministrit britanik Tony Blair.

Ndonëse vëmendja e mediave është fokusuar tek ndryshimet në qeveri, Report Tv mëson se gjatë mbledhjes së sotme Rama nuk u fokusua në këtë drejtim. Kryeministri pritet të marrë vendime në javët e para të shtatorit. Me shumë gjasa ndryshimet ai do t’i shpallë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, për të cilën nuk ka ende një datë, por mund te zhvillohet mes 1 dhe 8 shtatorit. 

Ministrat do të raportojnë mbi programin që kanë zbatuar pas marrjes së detyrës si dhe projektet që nuk kanë mundur të realizojnë. Raporti do të jetë skaner i plotë i punës dhe një pikë e fortë për të vendosur nëse do të qëndrojnë në detyrë apo do të largohen në vjeshtë.

Bëhet me dije gjithashtu se instrumenti matës i punës së çdo ministri, përveç realizimit të objektivave të programit të 300 ditëve të para, do të jetë edhe platforma e bashkëqeverisjes “shqipëriaqëduam.al”, në të cilën qytetarët shprehin ankesat dhe problematikat që ndeshin në zyrat e administratës.

Sipas raportit të publikuar nga vetë Kryeministri Rama, në 10 muaj të funksionimit të platformës, janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve, që deri dje mbeteshin sirtarëve të zyrave të shtetit.

“Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam”, u shpreh Kryeministri Rama pak ditë më parë, ndërkohë që bëri publik dhe faktin që për 420 zyrtarë të identifikuar nga hetimi administrativ, si përgjegjës për mospërgjigjen në kohë ndaj qytetarëve, janë marrë masa ndëshkimore.

Rezidenca qeveritare në Vlorë ku është mbledhur qeveria

Përveç ministrave në mbledhje është edhe Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.