Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, janë firmosur disa ndryshime në drejtimin e strukturave vendore të Policisë së Shtetit. Në total janë katër emërime të reja, ndërsa një prej ndryshimeve më të rëndësishme është ai në krye të Komisariatit të Sarandës, që vjen vetëm pak ditë pas atentatit të rëndë ku u vra Artan Myrtaj. 

Feliks Hoda, i cili prej rreth tre muajsh drejtonte Komisariatin e Sarandës, një prej strukturave policore që është përballur me ngjarje të shumta kriminale prej më shumë se një viti, transferohet në Dibër, ku emërohet Shef i Komisariatit të Policisë. 

Në vend të tij në Sarandë emërohet Saimir Shkambaj, i cili prej kohësh mbante postin e Shefit të Komisariatit të Policisë Tropojë. Posti i lënë bosh në Tropojë i besohet Andi Kanos, i cili deri tani mbante detyrën e Shefit të Hetimit të Krimeve në këtë komisariat. Kano komandohet në krye të komisariatit, duke kaluar kështu në një detyrë drejtuese. 

Ndryshim ka edhe në krye të Policisë së Beratit, e cila prej largimit të Luigj Vathit kishte mbetur pa drejtues të ri. Në këtë post emërohet Dritan Lena, deri tani Shef i Sektorit të Planifikimit Operacional në Drejtorinë e Forcës Kombëtare të Sigurisë.