TIRANE- Tani e tutje në asnjë lloj certifikate nuk do të jetë e shënuar "kombësia" e personit që e kërkon këtë dokument identifikimi që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në vendin tonë.

Madje, ndryshe nga viti i kaluar, kur edhe ky dokument ndryshoi për herë të fundit, elementi i kombësisë është hequr jo vetëm nga certifikatat për përdorim brenda për brenda vendit, por madje edhe për ata që janë në 6 gjuhë të huaja dhe do të lëshohen për përdorim jashtë vendit.

Armand Teliti, kreu i drejtorisë së përgjithshme së gjendjes civile në vendin tonë, thotë se i vetmi ndryshim është pikërisht kjo gjë dhe ky dokument nuk pëson asnjë ndryshim tjetër të rëndësishëm. "Kombësia është hequr nga certifikatat në bazë të një vendimi të marrë nga Gjykata Kushtetuese, vendim i cili për ne ka formë ligjore. Ndërsa ndryshime të tjera të rëndësishme, certifikatat nuk kanë pësuar", - na shpjegon Teliti. Ndërkohë që e dhëna për "kombësia" u hoq një vit më parë nga certifikatat që ishin të destinuara për përdorim brenda vendit me argumentin se ky ishte një standard që respektohej në të gjithë vendet e BE-së, dhe asnjë prej këtyre vendeve nuk e kishte këtë të dhënë të shënuar në certifikatë, por kishte vetëm shtetësinë.

Një vit më parë, në fillim të qershorit të 2011, u deklarua se "Kombësia" do të lihej vetëm tek certifikatat për përdorim jashtë vendit, por duket se dhe kjo tashmë është ndryshuar. Ndërkohë që në certifikatë, tashmë çdo person do të ketë një numër personal që i korrespondon numrit të kartës së identitetit. Vendimi që vulos ndryshimet në certifikatat e reja, është publikuar në fletoren zyrtare të datës 31 maj 2012 dhe përcakton se ai hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në këtë fletore dhe i shtrin efektet që nga data 1.06.2012.
(sg/shqiptarja.com)