SHKODËR- Partia Socialiste i ka shtrirë edhe një herë dorën Partisë Demokratike për të bashkëpunuar mbi reformat e rëndësishme qoftë ajo Kushtetuese dhe ajo territoriale. Nga Shkodra, ku prezantoi drejtuesen e re politike, Edona Bilali, Damian Gjiknuri i ka dërguar një mesazh kryedemokratiti Lulzim Basha, ku shprehu gatishmërinë për t’u ulur në tryezë në çdo kohë.
“PS dhe kryeministri Rama e ka thënë edhe në Kuvend që ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të dialogojmë me PD, dialogimi nuk bëhet me diplomacinë e megafonit as me deklarata për shtyp, dialogimi bëhet që të ulemi në tryezë siç kemi bërë reformën zgjedhore më parë, siç kemi bërë reforma të tjera. Kryeministri e tha që ne jemi të gatshëm pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që kemi qoftë për reformën në drejtësi, qoftë për reformën territoriale apo edhe për probleme të reformës zgjedhore nëse ata duan të adresojnë këto çështje e mira është edhe një dialog që zhvillohet në institucione. PD është në institucione dhe ne e mirëpresim në çdo kohë. Për përmbajtjen është shpejt të flasim sepse ai është produkt i tryezave të përbashkëta”, tha Gjiknuri.
Një bashkëpunim i tillë, për Reforma të rëndësishme, Gjiknuri tha se nuk është kurrsesi një konfirmim i akuzave të mbërritura nga Sali Berisha, se Rama dhe Basha janë bashkë. “Luftën brenda PD-së”, Gjiknuri tha se nuk ka dëshirë të komentojë, por shtoi se për dialogun, PS është e gatshme që të ulet me cilin përfaqësues nga demokratët.
“Nuk dua të futem në akuzat që kanë ata me njëri-tjetrin. Ky është një problem i tyri i brendshëm. PS është e gatshme të dialogojë me PD-në zyrtare kushdo që merr përsipër të përfaqësojë dhe që do të shprehi interesat e demokratëve për ata ndryshime që ata mendojnë të nevojshme. Por negociatat dhe politikbërja zhvillohet në institucione dhe ne jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë me ta”, tha Gjiknuri.
Sekretari i përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri prezantoi në Shkodër drejtuesen politike të PS për këtë qark Edona Bilali në një mbledhje të zhvilluar me deputetët e PS, kryetarët e bashkive të PS dhe struktura të tjera të kësaj force politike në qarkun Shkodër. Pas mbledhje Gjiknuri që shoqërohej edhe nga sekretari organizativ Blendi Klosi deklaroi se PS do vijë organizimin për zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme që tani në mënyrë që të vijojë të përçohet fryma e fitores.
“Jemi në një proces jo vetëm prezantimi të drejtuesve të rinj por edhe një analize elektorale që do t’i shërbejë PS. Jemi një parti që nuk do presim zgjedhjet për t’u organizuar por gjatë gjithë kësaj kohe do të bëjmë organizimin e nevojshëm që të përballojmë edhe zgjedhjet vendore edhe ato të përgjithshme. Ky proces është i nevojshëm pavarësisht se mund të ketë mendime të ndryshme sa i përket organizimit, rëndësishme është që ne kemi frymë fituese dhe do vazhdojmë që ta përçojmë këtë frymë kudo”, përfundoi Gjiknuri.