Ndryshimet që kanë përfshirë arsimin parauniversitar kanë filluar të zbatohen dhe të bëhen konkrete, duke filluar nga viti akademik 2014-2015. Kështu për nxënësit e klasave I-III, formula e vlerësimit nuk është më si më parë dhe mësuesit janë udhëzuar të vendosin 5 nota, të konvertuara këto me vlerësime përshkruese në rend ngritës. Në 26 shkolla pilot të arsimit bazë, pranë Drejtorive Arsimore Rajonale, ka nisur pilotimi i kurriklulës së re, e cila është e ndërtuar mbi bazën e kompetencave kyçe dhe kompetencave të fushës.

Vlerësimi i nxënësve nga klasa e parë në të tretë do të bëhet pikërisht, duke u mbështetur në përmbushjen e këtyre kompetencave. zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj tregon për “Shekulli”-n se ky projekt vjen në kuadër të reformës arsimore dhe rritjes së nivelit të mësim-nxënies për më të vegjlit e shkollave. “Në arsimin fillor, përvojat mësimore i shërbejnë nxënësit të kalojë natyrshëm në një etapë të re të fëmijërisë së hershme, nga të mësuarit nëpërmjet lojës, te mësimdhënia me nxënësin në qendër, te detyrat dhe angazhimet e reja që u dikton shkolla. Procesi i të nxënit përqendrohet në ngritjen e bazave të shëndosha për zhvillimin gjuhësor, fizik, njohës, social-emocional dhe përqasjes ndaj të nxënit.

Gjatë viteve të para të shkollës, kujdes i veçantë i kushtohet zhvillimit të personalitetit të fëmijës dhe qëndrimit pozitiv ndaj të nxënit, si bazë për zhvillimin e kompetencës kyçe “Të mësuarit për të nxënë”, thotë Malaj. Vlerësimi përshkrues shërben për të vlerësuar arritjet e nxënësve dhe drejtimet ku nxënësit kanë nevojë për ndihmë e mbështetje në mënyrë që të kapërcejnë vështirësitë në të nxënë. Vlerësimi realizohet nëpërmjet përdorimit të instrumenteve dhe të procedurave të ndryshme të mbledhjes së të dhënave, interpretimit dhe analizës së tyre në dobi të përmirësimit të mësimdhënies dhe të të nxënit. Nëpërmjet vlerësimit të arritjeve dhe zhvillimit individual, evidentohen anët dhe pikat e forta, si dhe drejtimet tek të cilat çdo nxënës ka nevojë për ndihmë, mbështetje dhe motivim. Njohja më e mirë e nxënësit dhe e arritjeve të tij e ndihmon mësuesin dhe prindin të punojnë më tepër në ato drejtime, të cilat pengojnë ecurinë dhe përparimin e tij të mëtejshëm.

Kohë pas kohe, gjykimi për atë çfarë arrin nxënësi sinjalizon të rriturin si po lëviz trajektorja e progresit të tij. Praktika e deritanishme e vlerësimit të nxënësit ka qenë e tillë: Në klasat e para dhe të dyta, nxënësit janë vlerësuar me shprehje në katër shkallë vlerësimi; “Dobët”, “Mjaftueshëm”, “Mirë”, “Shumë mirë”, ndërsa për klasën e tretë dhe më tej vlerësimi i nxënësit është bërë nga nota 4 deri në 10. Me daljen e Dispozitave të reja Normative, vlerësimi i nxënësve nga klasa e parë në të tretë bëhet nëpërmjet vlerësimit përshkrues dhe përmbledhës. Neni 15, Pika 5, përcakton se: “Mësuesi vlerëson nxënësit me përshkrim: gjatë vitit mësimor, në përfundim të disa periudhave të vitit mësimor dhe në fund të vitit mësimor, për: a) qëndrimin dhe aftësitë e përgjithshme të fëmijës si nxënës; b) për objektivat kryesore në fushat e të nxënit. Periudhat caktohen nga ministri. Mësuesi kryen vlerësimet sipas formatit që hartohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit dhe miratohet nga ministri”.

Vlerësimi përshkrues 

Vlerësimi përshkrues ka si qëllim të evidentojë anët e forta, dobësitë dhe vështirësitë konkrete që ka secili nxënës në çdo linjë të programeve lëndore. Në kurrikulën aktuale, që zbatohet në shkollat tona, programet lëndore janë të ndërtuara me linja, ku secila prej tyre zë një përqindje të caktuar, e shprehur në sasi të caktuara orësh.

Nxënësi vlerësohet për arritjet e tij, në secilën prej linjave nga fillimi i vitit shkollor deri në përfundim të tij, duke marrë në konsideratë përmbushjen e objektivave specifikë. Neni 15, Pika 5, përcakton se “Mësuesi vlerëson nxënësit me përshkrim: gjatë vitit mësimor, në përfundim të disa periudhave të vitit mësimor dhe në fund të vitit mësimor, për: a) qëndrimin dhe aftësitë e përgjithshme të fëmijës si nxënës; b) për objektivat kryesore në fushat e të nxënit. Periudhat caktohen nga ministri. Mësuesi kryen vlerësimet sipas formatit që hartohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit dhe miratohet nga ministri”. Mbështetur në këtë Nen, u përcaktua që vlerësimi përshkrues i nxënësit të realizohet në periudha 3-mujore, tri herë në vit, të cilat përafërsisht bien në muajt dhjetor, mars dhe qershor. Vlerësimi përmbledhës realizohet një herë në vit, pas realizimit të vlerësimit të tretë përshkrues.

Notat 

Vlerësimi përshkrues realizohet me 5 nivele dhe bazohet në shpjegimet e mëposhtme.

Shkalla 1. “Arritje të pakënaqshme” do të konsiderohen kur nxënësi nuk përmbush asnjë nga objektivat bazë të të nxënit ( kjo përkon me vlerësimin “Dobët” ose me notën 4).

Shkalla 2. “Arritje që kanë nevojë për përmirësim” do të thotë që nxënësi ka arritur vetëm pak nga objektivat bazë të të nxënit dhe kërkohet mbështetje dhe punë e vazhdueshme nga ana e mësuesit (kjo përkon me vlerësimin “Mjaftueshëm” ose me notat 5 dhe 6).

Shkalla 3. “Arritje të kënaqshme” do të konsiderohen kur nxënësi ka përmbushur objektivat mesatare të të nxënit dhe, kur me mbështetjen e mësuesit, arrin të përparojë (kjo përkon me vlerësimin “Mirë” ose me notën 7).

Shkalla 4. “Arritje shumë të kënaqshme” do të konsiderohen kur nxënësi ka përmbushur pjesën më të madhe të objektivave të të nxënit (kjo përkon me vlerësimin “Shumë mirë” ose me notat 8 dhe 9).

Shkalla 5. “Arritje të shkëlqyera” do të konsiderohen kur fëmija përmbush plotësisht objektivat e të nxënit të programit lëndor (kjo përkon me vlerësimin “Shkëlqyeshëm” ose me notën 10).

Prindërit firmosin çdo muaj rezultatet e fëmijëve 

Dikur mbledhjet me prindërit nëpër shkolla organizoheshin 1 herë në 3 apo 4 muaj dhe gjatë këtyre takimeve, një pjesë e mirë e prindërve nuk njoftoheshin nga fëmijët e tyre, edhe një pjesë nuk krijonin mundësi për arsye nga më të ndryshmet. Gjatë këtyre viteve mjetet e komunikimit kanë bërë që prindërit të njihen me rezultatet e fëmijëve edhe pa qenë të pranishëm në takimet me mësuesit kujdestar. Një prind, fëmija i të cilit ndjek klasën e parë në një nga shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit tregon për “Shekulli”-n se të enjten e fundit të çdo muaji thirret nga mësuesja përgjegjëse dhe njihen me rezultatet e djalit të tij. Ai gjen të shkruar në një formular, të ngjashëm me dëftesën ecurinë dhe arritjet mujore të birit të tij. “E njëjta procedurë ndodh edhe me djalin e madh, i cili ndjek klasën e 5-të.

Por, kjo praktikë ka nisur të zbatohet këtë vit dhe bëhet për të kontrolluar aftësitë dhe mësimnxënien e fëmijëve”. Kjo formulë, e hartuar nga specialistë, pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit përcakton në komunikimet mes 3 palëve, mësues-prindër-fëmijë se në fillim të çdo viti akademik, mësuesi organizon një seancë informimi me prindërit, në të cilën u shpjegon mënyrën e vlerësimit të nxënësve, mënyrën se si do të organizohet ky vlerësim, ndihma që mund të japin prindërit, si dhe objektivat që priten të arrihen nëpërmjet realizimit të këtij vlerësimi. Pra, forma më e mirë për të informuar prindërit, dhe për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta, është diskutimi në mënyrë të vazhdueshme në lidhje me atë çfarë kanë arritur apo po ndeshin vështirësi nxënësit. Gjatë takimeve mujore me prindërit, mësuesit u vënë në dispozicion prindërve dosjen e fëmijës së tyre, duke dhënë edhe shpjegime, mbështetur në shënimet që ka mbajtur në fletoren e tij.

Gjithashtu, shihet e rëndësishme dhe e arsyeshme që nxënësit të jenë pjesë e këtyre diskutimeve, përveç rasteve ku prindi dhe mësuesit mendojnë që duhet të flasin pa praninë e tij. Është e këshillueshme që prindërit dhe mësuesit të realizojnë takime të përmuajshme, në mënyrë që t’u shpjegojnë prindërve arritjet e nxënësve. Ndërkohë mësuesit mund të kërkojnë takime të veçanta për nxënës të veçantë kur shohin që fëmija nuk realizon detyra të caktuara në lëndë të caktuara. Por, gjithashtu edhe prindi ka të drejtën të kërkojë takime të posaçme kur konstaton që fëmija ka vështirësi në arritjen e rezultateve të të nxënit.

Regjistra të rinj, ja ku ndryshojnë nga të parët 

Duket se pas fazës pilotuese dhe ndryshimit të cikleve në arsimin parauniversitar, mjeti që identifikon vlerësimet vjetore të nxënësve dhe planet mësimore për të gjitha lëndët ka ndryshuar. Kështu për klasat I-III, regjistrat janë përpiluar sipas një formati krejtësisht të ri, çka qëndron edhe në përputhje edhe me 5 notat që aplikohen për nxënësit e këtyre klasave. Bazuar në pikat referuese të udhëzimit, çdo ditë, mësuesi hedh në regjistër datën, temën e mësimit dhe mungesat e nxënësve.

Në fund të çdo tremujori, në regjistër plotësohet vlerësimi përshkrues i nxënësve, i cili bëhet për çdo linjë të programit lëndor, në kolonat përkatëse. Në regjistër, vlerësimi bëhet me kode nga 1-5 në ato linja, orët e të cilave nuk janë zhvilluar ende, mësuesi në fund të faqes së regjistrit bën shënimin “Orët që i përkasin kësaj linje nuk janë zhvilluar ende”. Një herë në tre muaj, mësuesi i jep prindit informacion me shkrim për përparimin e fëmijës për çdo lëndë, por jo vetëm. Në vlerësimin përshkrues duhet të bëhet edhe një përshkrim i cilësive individuale të nxënësit, të aftësive bashkëpunuese dhe bashkëvepruese me nxënësit e tjerë në realizimin e detyrave dhe punimeve të përbashkëta.

Në fund të vitit shkollor bëhet vlerësimi përmbledhës, i cili përcakton nivelin e arritjeve akademike të secilit nxënës, po sipas linjave të programeve lëndore. Në dëftesë bëhet vlerësimi vjetor i arritjeve të nxënësit, i shprehur me emërtimin e plotë të shkallëve të vlerësimit, ku për secilën lëndë nxënësi merr njërin prej vlerësimeve: “Arritje të pakënaqshme”,“Arritje që kanë nevojë për përmirësim”, “Arritje të kënaqshme”, “Arritje shumë të kënaqshme” dhe “Arritje të shkëlqyera”. Në Amzën e shkollës, vlerësimi bëhet me shkurtime të emërtimeve të shkallëve të vlerësimit, ku për: “Arritje të pakënaqshme” shkruhet APK , për “Arritje që kanë nevojë për përmirësim” shkruhet ANP, “Arritje të kënaqshme” shkruhet AK; “Arritje shumë të kënaqshme” shkruhet AShK dhe “Arritje të shkëlqyera” shkruhet ASh./shekulli/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)