Kërkesa e deputeteve të Kuvendit për rritjen e masës së përfaqësimit të grave në listat e zgjedhjeve vendore në masën 40%, duket se është kundërshtuar nga disa prej deputeteve të djathtë. Drejtuesja e Aleancës së grave, Mesila Doda falenderoi krerët e forcave politike për mbështetjen, ndërkohë që shprehu rezerva për disa kolegë të saj demokratë për rezistencën që i kanë bërë këtyre ndryshimeve.

“Një falenderim shkon për krerët e partive politike kryesore në vend, si për kreun e Parlamentit, kreun e opozitës, kreun e mazhorancës, të cilët kanë qenë absolutisht dakord për të mbështetur këtë iniciativë të Aleancës së Grave, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së gruas në Këshillat Bashkiakë, në listat shumë emërore dhe në rritjen e numrit të tyre në përballjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale.

Ndërkohë një reagim jo i mirë ka ardhur nga disa persona të cilët e negociojnë këtë marrëveshje, siç mund të jenë përfaqësues të PD-së në këto negociata dhe nuk kanë qenë dakord. Prandaj thashë më shumë kanë qenë të gatshëm kryetarët e partive se këta deputetë që kanë qenë negociues .

Nga ana tjetër më duhet të kujtoi se gratë në parlament dhe gratë në politikë nuk janë kukulla, janë qënie njerëzore me dinjitetin e tyre, kanë iniciativën e tyre", tha Mesila Doda. Ndërkohë, përfaqësuesja e mazhoranacës, Mimoza Hafizi shprehu dakordësinë e shumicës për të realizuar këto ndryshime. Ndërsa shtoi se bisedimet për këtë kanë patur një klimë pozitive. "Ne nuk kemi thënë që jemi dakord, por thamë që kemi negociuar dhe kemi pasur një klimë pozitive", u shpreh deputetja socialiste Mimoza Hafizi. Ndërkohë që deputetja e LSI-së, Silva Caka e konsideron një shanc shumë të madh për gratë dhe vajzat e reja rritjen e përfaqësisë së tyre në lista. Kështu propozimi i aleancës është që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të mos pranojë asnjë listë nga partitë politike nëse në emrat e kandidatëve, femrat nuk janë të përfshira në masën 40%, ndërkohë që tashmë procedohet vetëm me gjoba.


Redaksia Online
(do.k/Shqiptarja.com)