Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, kundërshtoi ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke i cilësuar si një përpjekje të kryeministrit Edi Rama për të kufizuar hetimet penale dhe SPAK-un. Sipas Kasos, me propozimet e reja për masat e sigurisë dhe hetimin penal, qeveria po ndryshon rregullat për t’i vendosur pengesa drejtësisë dhe e quajti lëvizjen një grusht shteti institucional.
“Për hallin e Erjonit, Belës, Gysit dhe Vlorës sot, por mbi të gjitha për hallin e tij nesër Rama vendos t'i vërë zjarrin shtetit. Me ndryshime e propozuara dje në Kodin e Procedurës Penale, një iniciativë e pakonsultuar me asnjë nga partnerët, Rama personalisht propozon të paralizohet hetimi penal në çdo prokurori të vendit dhe jo vetëm në SPAK ku i ka dhe do t'i ketë hallet.
Do t'i kishte rënë më shkurt t'i mbyllte fare prokuroritë dhe në fakt do të kishte qenë më e ndershme! Jo vetëm i kërkon drejtësisë që tani të luajë me rregullat e përcaktuara nga ai vetë, në konflikt madhor interesi, por as që e fsheh më që është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm që drejtësia as të mos guxojë t'i afrohet vetë atij.
Sa për ta kuptuar qytetarët - një grabitës që vjedh shtëpinë tuaj në mes të ditës ose dikush që me qëllim të shkatërron pronën tënde me zjarr tashmë nuk përfundon më në burg me ndryshimet e Ramës! E njëjta gjë vlen edhe për një zyrtar që shpërdoron kompetencat, falsifikon dokumentat, fsheh të ardhurat, manipulon tenderat, korrupton në mënyrë aktive zyrtarë të tjerë.... e kështu pa fund...
Kjo nuk është Reformë. Ky është grusht shteti institucional nga një bandit ende me pushtet! Deri në këtë derexhe është gati t'a katandisë shtetin vetëm që të bllokojë SPAKUN”, shkruan Kaso.
Lajmi kryesor:
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Berisha: Mburojë për Ramën, drafti të mos kalojë pa miratimin e Venecias, KiE s'e ka mbështetur








