TIRANË, 18 Dhjetor/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se është koha t'i hapim rrugën procesit të ndërtimeve me leje në vend dhe nëse do e bëjmë këtë do të ndajmë qartësisht epokën e derisotme, ku lejet e dhëna në Republikën e Shqipërisë dhe të zbatuara pikë për pikë sipas vullnetit të autoritetit që e ka lëshuar atë(lejen), nuk janë më shumë se gishtat e të dy duarve.
Ndërsa parlamenti ishte në procesin e votimit të ndryshimeve në kodin penal, që synojnë ashpërsimin e masave ndaj atyre që ndërtojnë pa leje duke i ndëshkuar me heqje lirie, deputetë të maxhorancës u shprehën kritikë ndaj një amendimi në legjislacionin penal të propozuar nga deputetët Besnik Bare dhe Namik Kopliku.
Kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj dhe kryetari i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, sugjeruan riformulim të amendamentit, pasi sipas tyre ndërhyrjet në kodin penal duhen bërë me kujdes.
"Me shumë respekt për përfaqësuesit e së drejtës dua të nënvizoj qartësisht arsyet pse qeveria e kërkon sot këtë ndërhyrje në kodin penal. Të njëjtin diskutim kemi bërë dhe kur ndërhymë në kod për vjedhësit e energjisë dhe rezultatet i kemi para syve", tha kryeministri.
Duke theksuar se janë miliona metra katrorë në vend të ndërtuara jashtë lejes, kryeministri theksoi se me ndryshimet e propozuara kemi mundësinë të ndalim hemoragjinë e hershme të ndërtimeve të paligjshme, me të cilën Shqipëria është mbytur për vite të tëra. Ndonëse ka një frenim, vërejti ai, nëse ne sot nuk do e sanksionojmë me ligje të qarta edhe shkeljet për ndërtimet me leje, fenomeni vetëm se do të vazhdojë", u shpreh kryeministri.
Rama përsëriti nevojën për të futur në rrugën e duhur energjinë dhe territorin, pasi në të kundërt, tha ai, do të kishim një pasiguri totale, si për të drejtat e pronës,ato  të qytetarëve dhe investitorëve.