Një prej masave kryesore të ndryshimeve të fundit të Kodit Rrugor, në fuqi prej 3 ditësh, është heqja përgjithmonë e patentës kur një shofer kapet me vlerë alkooli mbi 0,5 gram për litër, i ndëshkuar më herët në gjendje të dehur. Në një dalje të posaçme për mediat, drejtori i Policisë Rrugore thotë se masa drakoniane ishte domosdoshmëri për shkak përdorimi i alkoolit në timon shkakton më shumë aksidente me viktima.
"Kjo masë vjen si nevojë e adresimit të fenomenit shqetësues të aksidenteve rrugore me pasoja, për shkak të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur", tha Vatoci.
Deri më 7 gusht, drejtuesi i mjetit mund të shmangte pezullimin e patentës duke paguar dyfishin e gjobës. Me ndryshimet e reja, kjo mundësi është hequr dhe patenta pezullohet automatikisht.
Nga ana tjetër shtyrja e së drejtës për t’u pajisur me patentë për 1 vit për ata që konstatohen duke qarkulluar pa një të tillë në moshë madhore, dhe 2 vjet për të miturit, është një prej pikave kryesore ku synohet ulje të aksidenteve. Drejtori Perlat Vatoci njoftoi ndryshimet.
"Shërbimet e Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit do të informojnë, për çdo rast, DPSHTRR-në, si institucioni kompetent për lëshimin e lejeve të drejtimit, për kryerjen e procedurave përkatëse të regjistrimit në sistem të personave të konstatuar",shtoi ai.
Ashpërsim masash ka ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë, mosrregullimit të shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, në zonat urbane, në afërsi të shkollave, kryqëzime dhe degëzime. Gjobat për këto shkelje u rritën nga 20 mijë lekë në 60 mijë lekë.
Ndërkohë, vetëm në Kukës, gjatë javës që kaloi policia arrestoi një person për drejtim mjeti i dehur dhe pa patentë dhe një i mitur pa patentë. Në total u vendosën 201 gjoba, prej të cilave 9 për shpejtësi dhe 21 pa rrip sigurimi.










Komente
Komento