Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, është shprehur se ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit që u miratuan sot në Kuvend, e çon mbrojtjen e krijuesve shqiptarë në një standard të ri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se këto ndryshime sjellin rregulla konkrete për platformat online.

Ai sqaroi se sipas ndryshimeve në ligj, Youtube, Facebook, Tik Tok dhe platformat e tjera, do të duhet të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura dhe të reagojnë kur ka shkelje të së drejtës së autorit.

Një tjetër risi e rëndësishme që sjellin ndryshimet në ligj, sipas Gonxhes është se platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri pa pasur seli këtu, do të duhet tashmë të kenë një përfaqësues ligjor në vend.

Po ashtu ai nënvizoi se për herë të parë, autorët shqiptarë do të kenë një adresë konkrete ku mund të kërkojnë zbatimin e të drejtave të tyre.

Sipas Gonxhes, ligji forcon edhe pozitën e autorit në kontratë, i cili do të ketë të drejtë të dijë si përdoret vepra e tij, çfarë të ardhurash gjeneron dhe të kërkojë rishikim të kontratës kur shpërblimi mund t’i duket i padrejtë.

Reagimi i ministrit Blendi Gonxhja:

Miratuam sot në Kuvend një ligj shumë të rëndësishëm për të drejtën e autorit, që e çon mbrojtjen e krijuesve shqiptarë drejt një standardi të ri.

Ky ligj sjell rregulla konkrete për platformat online. YouTube, Facebook, TikTok dhe platformat e tjera do të duhet të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura dhe të reagojnë kur ka shkelje të së drejtës së autorit.

Një tjetër risi e rëndësishme është se platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri pa pasur seli këtu do të duhet tashmë të kenë një përfaqësues ligjor në vend. Për herë të parë, autorët shqiptarë do të kenë një adresë konkrete ku mund të kërkojnë zbatimin e të drejtave të tyre, këtu.

Forcojmë edhe pozitën e autorit në kontratë: ai do të ketë të drejtë të dijë si përdoret vepra e tij, çfarë të ardhurash gjeneron dhe të kërkojë rishikim të kontratës kur shpërblimi mund t’i duket i padrejtë.

Hapim gjithashtu tregun e administrimit kolektiv, duke krijuar më shumë konkurrencë dhe më shumë zgjedhje për të gjithë autorët.

Gjithashtu, riorganizojmë dhe fuqizojmë strukturën përgjegjëse për drejtorinë e të drejtës së autorit, këtu në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me një strukturë të dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të autorit në fushën digjitale dhe me 11 punonjës shtesë, kjo për të garantuar zbatimin real të këtyre kompetencave të reja që ky ligj i ri na jep.

Ky është një ligj që mbron më mirë krijuesin shqiptar, vendos më shumë përgjegjësi mbi platformat dhe e përputh tashmë Shqipërinë me standardet europiane.


Lajmi kryesor:

Edhe mediat online, do të mbrohen nga e drejta e autorit! Ndryshimet ligjore miratohen në parlament