Në zemër të Athinës së lashtë, në rrugicat e ngushta dhe pranë monumenteve arkeologjike, grupet e turistëve janë kudo, duke ndjekur guidat mes turmave.
Pamje të tilla dikur do të ishin mirëpritur nga autoritetet, por sot situata shihet ndryshe. Për kryebashkiakun Haris Doukas, fillimi i sezonit turistik po e çon qendrën historike drejt mbingarkesës, duke rrezikuar të humbasë karakterin e saj.
“Athina nuk mund të funksionojë si një hotel gjigant,” u shpreh ai, duke theksuar se duhen rregulla dhe kufizime për zhvillimin e qytetit dhe se vetë qytetet duhet të kenë fjalën e tyre në këtë proces.
Vitin e kaluar, më shumë se 8 milionë turistë vizituan Athinën, një rekord për qytetin që jo shumë kohë më parë shihej thjesht si një ndalesë për në ishujt grekë. Në zonën e Plakës, që ndodhet poshtë Akropolit, qëndrimet në apartamente me qira afatshkurtër janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2018, sipas një studimi të porositur nga bashkia.
Autoritetet paralajmërojnë se koha për të vepruar është tani, në mënyrë që Athina të mos bjerë viktimë e suksesit të saj. Shenjat janë të dukshme: rritje e fortë e qirave që po detyron banorët të largohen dhe një infrastrukturë që po përballet me mbingarkesë.
“E gjithë Athina po hapet kantier për të përballuar situatën,” tha Doukas, duke përmendur ndërtimin e rrjeteve energjetike, ujësjellësve, kanalizimeve dhe teknologjisë 5G. “Kur ke 700 mijë banorë dhe 8 milionë vizitorë, presioni është i madh.”
Doukas mori detyrën në vitin 2024, pasi fitoi zgjedhjet me mbështetjen e partisë opozitare Pasok, me premtimin për ta bërë qytetin më të gjelbër. Sipas tij, rreth 3,855 pemë janë mbjellë në qendrën historike gjatë mandatit të tij.
Por me rritjen e turizmit, ai është përballur edhe me zhvillimin e pakontrolluar në zonat më të frekuentuara. Kryebashkiaku ka vënë në shënjestër kompanitë e ndërtimit që kërkojnë të ndërtojnë godina shumëkatëshe pranë Akropolit, si dhe investitorët dhe sipërmarrësit në sektorin turistik. Në fokus janë edhe lokalet dhe restorantet në çati, shpesh pa licencë.
Së fundmi, ai ka paralajmëruar se do të përdorë një projektligj për përdorimin e tokës turistike për të kërkuar ndalimin total të aktiviteteve të reja në qendrën historike.
“Do të ndalojmë çdo investim turistik në Plaka. Nuk ka më vend – as për apartamente me qira afatshkurtër, as për hotele apo forma të tjera. Zona është e mbingarkuar,” u shpreh Doukas. “Është momenti të themi mjaft.”
Ai ka hedhur gjithashtu idenë për ngrirjen e lejeve të ndërtimit për hotelet e reja, në vijim të masave të marra nga qeveria për kufizimin e qirave afatshkurtra në zonat pranë Akropolit.
Së fundmi, ai ka marrë mbështetje edhe nga industria e hotelerisë. Kreu i shoqatës së hotelierëve, Evgenios Vassilikos, ka sugjeruar vendosjen e një kufiri për ndërtimin e hoteleve, duke përmendur si shembull Barcelonën, ku nuk jepen leje të reja që prej vitit 2017.
“Kur e gjithë qendra e Athinës po kthehet në një zonë hotelesh, nuk mund të jem i vetmi që e them këtë,” u shpreh Doukas, duke shtuar se diskutimi tashmë ka nisur zyrtarisht dhe se Athina nuk duhet të kthehet në një tjetër Barcelonë.
Ai përmendi edhe shembullin e kryebashkiakut të Barcelonës, Jaume Collboni, i cili ka njoftuar ndalimin e plotë të qirave afatshkurtra deri në vitin 2028, si pjesë e përpjekjeve për ta bërë qytetin më të jetueshëm.
Athina dhe Barcelona janë ndër 15 qytetet që i janë bashkuar një plani evropian për strehimin, duke i kërkuar Bashkimit Evropian masa të forta për të përballuar krizën.
Sipas Doukas, problemi më i madh mbetet mungesa e banesave të përballueshme për qytetarët.
“Ne kemi krijuar një zyrë për strehim social për të identifikuar ndërtesa dhe apartamente që mund të rinovohen me fonde të BE-së,” tha ai. “Duam të inkurajojmë çiftet e reja të qëndrojnë në qendër.”
Ai shtoi se ndryshe nga qytetet që po mbushen me beton dhe rrokaqiej, Athina synon të krijojë më shumë hapësira publike, duke përfshirë edhe prishjen e ndërtesave për të ndërtuar parqe dhe kënde lojërash.
“Athina është për njerëzit e saj. Nuk është vetëm për ata që duan ta shfrytëzojnë,” përfundoi Doukas.
Komente









