TIRANE- Ministria e Arsimit ka vendosur që të sjellë një sërë ndryshimesh të tjera sa i përket Maturës Shtetërore në mënyrë që maturantët ë bëjnë zgjedhjet e duhura. Këto ndryshime kanë të bëjnë pikërisht me publikimin e koefiçentëve të lëndëve me zgjedhje përpara publikimit të formularit A1 dhe atij A1Z. Ky ndryshim është bërë për vetë faktin që maturantët të kenë mundësi të bëjnë përllogaritjet e pikëve dhe degën që do të vendosin të zgjedhin përpara se të plotësojnë këtë formular.

“Këtë vit ne kemi ndryshuar edhe një tjetër praktikë, pikërisht atë të publikimit të koeficienteve të lëndëve me zgjedhje. Në mënyrë që maturantët të kenë mundësi të bëjnë llogaritë e tyre përpara se të plotësojnë Formularin A1, si dhe duke u konsultuar me rezultatet e viteve të kaluara. Kjo do tu sjellë atyre një orientim më të mirë për degën e universitetit që do të ndjekin” ka pohuar Nora Malaj, zv/ministre e arsimit. Por për të pasur provime sa më transparente dhe që gjithsecili prej maturantëve të vlerësohet me atë notë që meriton, është parashikuar qarkullimi i administratorëve të provimeve.

Kjo për të ulur mundësinë e kopjimit. “Nëse vite më parë administratorët e provimeve kanë qenë mësuesit e shkollës apo të rrethit këtë vit do të jetë ndryshe. Kemi parashikuar qarkullimin e tyre, për shembull administratorët e Tropojës do të vijnë në Tiranë, të Elbasanit në Kukës e këta të fundit në Vlorë. Ndërkohë që shumë shpejt ne do të nisim një tur në të gjitha Drejtoritë Arsimore për këshillimin e karrierës për të gjithë personat që do të merren me procesin e Maturës Shtetërore” ka pohuar Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit.

Sipas saj qarkullimi i administratorëve do të sjellë më pak abuzime me provimet, pasi praktikat e deritanishme kanë treguar se tezat e provimeve hapeshin gjatë transportit apo ende pa nisur ky provim. Një tjetër ndryshim që pritet të vijë këtë vit është edhe për maturantët të cilët do të ndjekin studimet e larta jashtë vendit. Për ta është parashikuar që diploma e shkollës së mesme të jepet më herët në krahasim se me maturantët të cilët do të vazhdojnë të ndjekin një universitet në vend.

Kjo për vetë faktin se shumë prej tyre nuk mund të plotësojnë dokumentacionin e duhur në muajin qershor, kohë kur bëhet edhe aplikimi për studime jashtë vendit. “Një problem që më ka ardhur si nga të rinjtë ashtu edhe nga mësues dhe prindër ka qenë ajo e diplomave për maturantët që do të aplikojnë jashtë. Ky problem tashmë nuk do të jetë më pasi ne do të bëjmë të mundur, shpërndarjen në kohë reale të këtyre diplomave pas kërkesave të maturantëve” ka theksuar Nikolla.

Ndërkohë që sipas saj, këtë vit nuk do të ketë ulje të pragut të vlerësimit të nxënësve për të marrë notën kaluese, ajo do të jetë vetëm kur maturanti të ketë plotësuar 20 për qind të pyetjeve të çdo testi provimi. Sa i përket formularit për plotësimin e lëndëve me zgjedhje ai do të jetë gati deri në 25 shkurt, ndërkohë që brenda kësaj kohe Ministria e Arsimit duhet të bëjë publike koeficientet e lëndëve me zgjedhje. Më pas maturantët do të kenë një muaj kohë për të plotësuar formularin i cili do të përmbajë të gjitha të dhënat dhe gjerneralitetet e tyre, si dhe lëndët me zgjedhje të cilat së bashku me ato me detyrim do të bëjnë të mundur mbledhjen e pikëve për të kandiduar në një nga degët e universiteteve në vend.    

Shkrimi u publikua sot (21.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)