Partia Demokratike ka informuar Kuvendin për ndryshimet e bëra në grupin parlamentar të PD pas përjashtimeve të mbështetësve të Sali Berishës. PD i është drejtuar Kuvendit me një shkresë zyrtare ku e ka njoftuar për vendimet e marra, ku Enkelejd Alibeaj është vendosur kryetar grupi parlamentar të PD në vend të Alfred Rushaj.
‘Pas vendimeve të Kryesisë së Partisë dhe këshillit Kombëtar të PD, në përputhje me statutin dhe Rregulloren e brendshme të Grupit Parlamentar, në përputhje me nenet 15 e vijues të Rregullores së Kuvendit, ju njoftojmë se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të datës 15.01.2022, kryetari i Grupit Parlamentar është zgjedhur Enkelejd Alibeaj, shkruhet në njoftimin e PD.
Gjithashtu PD ka njoftuar Kuvendin për përjashtimin nga grupi parlamentar të deputetëve Flamur Noka, Albana Vokshi, Luan Baçi dhe Edmond Spaho dhe nuk janë më pjesë e këtij grupi nga 15 janari 2022. Me vendosjen e Enkelejd Aliebaj si kreu i grupit Parlamentar, PD njofton Lindita Nikollën se nënkryetar i Kuvendit do të jetë Agron Gjekmarkaj.
Partia Demokratike ka informuar edhe për lëvizjet dhe ndryshimet e tjera të bëra si rezultat i ardhur nga përjashtimet e mbështetësve të Sali Berishës.
Përjashtimi i Albana Vokshit nga PD, ka bërë që vendin e saj si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë ta zërë Grida Duma. Kryetare e Komisionit të Arsimit vendoset Flutura Açka, e cila zëvendëson Agron Gjekmarkajn. Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve vendoset Dhurata Çupi, që zëvendëson Flamur Nokën.
Ndryshime janë bërë edhe në sekretariatet, ku Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar), Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar), Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar), Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar).
Të gjitha këto ndryshime ndodhën gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD.
Ndryshimet që Basha ka bërë në PD
Kreu i grupit parlamentar te PD, Enkelejd Alibeaj, zëvendëson Alfred Rushajn
Nënkryetar i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, zëvendëson Enkelejd Alibeajn
Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma, zëvendëson Albana Vokshin
Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka, zëvendëson Agron Gjekmarkajn
Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve:Dhurata Çupi, zëvendëson Flamur Nokën
Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar)
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)
Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar)
Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar)
Alfred Rushaj nuk do të jetë më as nënkryetar i PD