Ndryshimet në qeveri, a po përgatitet Putini për një luftë të gjatë?

Ndryshimet në qeveri, a po përgatitet Putini për një luftë të gjatë?

Vladimir Putin

Presidenti Vladimir Putin bëri ndryshime në kabinetin qeveritar të dielën duke emëruar Andrei Belousov, një ekonomist që ka mbajtur për herë të parë rolin e zëvendës kryeministrit të Rusisë, si ministër të ri të Mbrojtjes, në vend të Sergei Shoigut.

Shoigu, i vetmi anëtar i qeverisë që Presidenti Putin e zëvendësoi, u emërua Sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një pozicion këshillues shumë i fuqishëm për Kremlinin, duke zënë vendin e Nikolai Patrushevit, aleat për një kohë të gjatë i Vladimir Putinit.

Njësoj si Presidenti, Patrushevi më herët ka drejtuar Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, pasardhëse e KGB-së sovjetike. Këshilli i Federatës, dhoma e lartë e parlamentit rus duhet të miratojë emërimin e Belousov, një formalitet, për të cilin nuk ka dyshime.

Shërbimi rus i Zërit të Amerikës bisedoi me tre ekspertë, të cilët, njëzëri sugjerojnë se zëvendësimi i ministrit Shoigu me Andrei Belousovin tregon se Putin po e përgatit vendin për një luftë të gjatë kundër Ukrainës.

Richard Weitz, drejtor i Qendrës për Analiza Politike-Ushtarake në Institutin Hudson me bazë në Uashington, vuri në dukje se prej disa kohësh kishte pasur spekulime se ishte planfikuar largimi nga detyra i Sergei Shoigut, i cili shërbeu si ministër i mbrojtjes për 12 vjet.

“Ka pasur disa shqetësime mbi ritmin e reformës ushtarake nën drejtimin e tij dhe më pas mbi dobësinë e ushtrisë ruse në muajt e parë të luftës në Ukrainë. Dhe rebelimi i vitit të kaluar nga [Yevgeny] Prigozhini dhe grupi Wagner u cilësua si përgjegjësi e Shoigut dhe shefit të Shtabit të Përgjithsëm të asaj kohe, gjeneralit Valery Gerasimov”, tha Weitz për Zërin e Amerikës.

“Besoj se Putini ka vendosur që në këtë faze të konfliktit, tani që ushtria ruse po vepron mirë nga ana operative, por që është e qartë se lufta do të zgjasë disa vjet, ai dukshëm kërkon që të vërë në atë post dikë që ka më shumë njohuri ekonomike. Dhe kjo ka kuptim, nëse do të jetë një luftë e gjatë, kërkohet mobilizim i burimeve të nevojshme për ta mbështetur atë”.

Mykola Sunhurovskyi, drejtor i programeve ushtarake në qendrën Razumkov, një institut me bazë në Kiev, tha se një skandal i kohëve të fundit që përfshin zëvendësin e Shoigut, Timur Ivanov, i cili u akuzua për marrje rryshfeti prej 12 milionë dollarësh, mund të ketë ndikuar në largimin nga kabineti të ish ministrit të Mbrojtjes. Por ai pajtohet se ndryshimi lidhet kryesisht me parashikimin e Putin se lufta ndaj Ukrainës do të jetë e gjatë.

“Shoigu nuk është ushtarak, nuk është ekonomist, nuk është industrialist. Por Belousov është një njeri që ka punuar për një kohë të gjatë për bllokun ekonomik të Rusisë. Ai i ka rrënjët në Institutin Qendror Ekonomik dhe Matematik, që për një periudhë ka qenë institucioni që ka udhëhequr krijimin e standardeve të reja për ekonominë ruse, që në vitet 70-të. Ai ka punuar atje për një periudhë, në mes të viteve 80-të, në pozicione të larta, zëvendës ministër, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe për një kohë ka qenë ndihmës i Putinit”, shprehet Sunhurovskyi.

Po ashtu, edhe analisti ushtarak ukrainas Alexei Getman i tha Zërit të Amerikës se zëvendësimi i Shoigut me Belousovin u diktua nga fakti se Rusia “po përgatitet për një luftë të gjatë” dhe për këtë arsye i duhej një ministër i ri mbrojtjeje i cili mund të organizojë ekonominë e vendit në përputhje me këtë fakt.

Megjithatë, analisti Getman tha se largimi i Shoigu nuk duhet të shihet domosdoshmërisht si një ulje në detyrë ose ndëshkim.

"Në fund të fundit, ai nuk u çua as për një periudhë pushimi të merituar as nuk u fut në burg, siç ndodh shpesh në Rusi," tha ai. “Ai u bë Sekretar i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse në vend të Patrushevit”./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 14/05/2024 07:36

    Shoigu u hoq duke u ngritur ne detyre or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë