Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, njëherësh kryetar i Grupit parlamentar ka reaguar në lidhje me Asamblenë e PS-së, gjatë të cilës kryeministri Rama njoftoi dhe ndryshimet në qeveri. Përmes një postimi në rrjete sociale Basha shkruan se  “qeveria e damksour nga SPAK për inceneratorët sipas tij nuk i shpëton dot drejtësisë me tubime partiake”.

“Qeveria e damkosur nga SPAK për aferën e inceneratorëve nuk i shpëton dot drejtësisë me tubime partiake ku bashkë i bën vetëm frika e ndëshkimit prej zullumeve që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve. Drejtësia duhet të vijojë punën e saj për hetimin e aferës së inceneratorëve, sterilizimit dhe çdo denoncimi për korrupsionin shtetëror në çdo hallkë. E pandikuar nga presioni qeveritar apo politik i kujtdo qoftë. Kjo është mënyra e vetme për të vënë para drejtësisë abuzuesit me pasuritë e shqiptarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që e kanë lënë Shqipërinë peng të Edi Ramës”, shkruan Basha.

Një reagim ka bërë edhe Gazment Bardhi i cili thotë se ndryshimet janë thjesht një një makiazh "për fytyrën e kalbur nga korrupsioni të kryeministrit".  

“Korrupsioni, i cili qendron në themelet e kësaj qeverie, do të vazhdojë të gërryejë mirëqenien në çdo familje shqiptare. Nuk ka pikën e rëndësisë se cilin ministër ndryshon Edi Rama. Është thjesht një makiazh për fytyrën e kalbur nga korrupsioni të kryeministrit”, shkruan ai.