Presidenti Bajram Begaj firmosi sot dekretet e para pas marrjes së detyrës që lidhen me ndryshimet në qeveri propozuar nga kryeministri Edi Rama në kuadër prioriteve aktuale, siç është përgjigjja ndaj krizës energjetike dhe integrimi i vendit. Begaj dekretoi shkarkimin e Arben Ahmetajt dhe emërimin e Belinda Ballukut zëvëndëskryeministre që mban edhe postin aktual të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ahmetaj nuk do të mbajë më as postin e ministrit për Rindërtimin, që shkrihet pas përmbushjes së misionit.

Po ashtu, u dekretua edhe emërimi i Majlinda Dhukës në krye të ministrisë së re të shtetit ngritur për integrimin që merr edhe pozicionin e kryenegociatores, në vend të Zef Mazit. Seanca ku këto dekrete do të marrin votën e deputetëve pritet të mbahet të enjten pasdite në 17:00 që shënon dhe mbylljen e axhendës parlamentare.

Kryeministri Rama firmosi dje propozimet për disa ndryshime në kabinetin qeveritar. Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv. Kryeministër, ndërsa vendin e tij si numri dy i Qeverisë do ta zërë Belinda Balluku, e cila do ta mbajë edhe postin aktual të ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë. Kryeministri Edi Rama ka shkarkuar nga detyra Arben Ahmetajt, si zv.kryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin, dhe në vend të tij ka emëruar Ballukun, si zv.kryeministre. Ndërsa ministria e Shtetit për Rindërtimin, për kreun e qeverisë e ka përmbushur misionin, kjo dhe fale kontributit të Ahmetajt. Rama tha se kriza energjetike si dhe integrimi i vendit drejt Bashkimin Europian, janë tashmë dy prioritetet e qeverisë, për të cilat janë bërë edhe ndryshimet në kabinetin qeveritar. 

Ndërkohë në kuadër të procesit të integrimit dhe negociatave me BE-në, kryeministri Edi Rama bën të ditur se si kryenegociatore është emëruar Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik, në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Zef Mazi. Dhuka po ashtu është emëruar Ministre Shteti për marrëdhëniet me BE-në pranë kryeministrit. Kreu i qeverisë ka falenderuar kryenegociatorin Zef Mazi për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:00
Ndryshimet në kabinetin qeveritar, Bajram Begaj dekreton propozimet e Ramës

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar shkarkimin e Arben Ahmetajt nga detyra si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave. Po ashtu Begaj ka dekretuar edhe dekretuar emërimin e zonjës Majlinda Dhuka si ministër Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe emërimin e zonjës Belinda Balluku edhe në detyrën e Zëvendëskryeministres, përpos detyrës që mban të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

'Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, pas administrimit të propozimeve të Kryeministrit dhe shqyrtimit të tyre, ka dekretuar  shkarkimin e z. Arben Ahmetaj nga detyra si Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave. Presidenti i Republikës, ka pranuar propozimin duke dekretuar emërimin e zonjës Majlinda Dhuka si ministër Shteti dhe Kryenegociatore, si dhe emërimin e zonjës Belinda Balluku edhe në detyrën e Zëvendëskryeministres, përpos detyrës që mban të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.'- njofton presidenca.