Ndryshimet në qeveri, Malaj: Ndarja e 'Ekonomisë' nga 'Financat' e vonuar, rezerva për shkrirjen me 'Kulturën'! Gonxhe, ‘kali i punës’

Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Malaj në një intervistë në “Frontline” në Report Tv me Marsela Karapançon ka folur për zhvillimet politike dhe ekonomike në vendin tonë.

Sa i përket ndryshimeve në qeveri, Malaj tha ndarja e Ekonomisë nga Financat dhe bashkimi me Inovacionin duhej të ishte bërë më herët por nga ana tjetër pati rezerva për 'shkrirjen' në një të vetme edhe me ministrinë e Kulturës.

"Kam të njëjtin qëndrim që kam pasur se ministria e Financave nuk mund të jetë së bashku me atë të Ekonomisë. E konsideroj të dobishme dhe pak të vonuar këtë ndarje. Nga studimet e mia ka të bëjë me faktin se midis tyre ka kontradikta këto ministri duhet të jenë në konkurrencë me njëra tjetrën. Ministria e Financave ka si përgjegjësi ligjore e morale të ruajë stabilitetin e financave publike, një dificit më i ulët një borxh më i ulët dhe një kosto më e ulët. Ministria e Ekonomisë ka objekt rritje ekonomike më të qëndrueshme dhe një rritje ekonomike më të drejtë. Lidhur me kulturën nuk e kuptoj dhe nuk e mirëkuptoj. Ta bashkosh ministrinë e Kulturës me Ekonominë do të thotë që kjo ministri të ketë një peshë në ekonominë e vendit. Aktualisht nuk ka peshë të ndikueshme. Do ishte më mirë të bashkohej me turizmin", tha Malaj.

“Duhet të ishte bërë pa vonesë bashkim i Inovacionit me Ekonominë. Është e paargumentuar mirë, pse Kultura shkon te Ekonomia, por shqetësimi më i madh janë ndryshimet e shpeshta në strukturat e qeverisë. Shpesh ristrukturimet edhe kur ndodhin brenda të njëjtës mazhorancë krijojnë pasiguri brenda administratës publike. Kam frikë dhe fakti që ne njerëzit nuk parapëlqejnë të futen në sektorin publik lidhet me pasigurinë për ta pasur vendin e punës dhe për të bërë karrierë profesionale. Kultura ka disa kufi sepse është si të thuash thesari më i madh i identitetit kombëtar. Ajo meriton një vëmendje. Bashkimin do ta shohim pak më vonë. Kulturën duhet ta kishim ministri të konsoliduar...", shtoi ai.

Por i pyetur për përzgjedhjen e drejtuesit të ministrisë së re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, që është Blendi Gonxhe, Malaj tha se e njeh atë si një njeri që e merr detyrën dhe çon deri në fund.

“Unë  i kam parë reagimet në media. Rama ka preferuar të bëjë zgjedhjet e tij pa u lodhur shumë për të negociuar për emrat që do suportojë. Për Gonxhen aq sa e njoh është një njeri që e merr një detyrë dhe e çon në fund. Gonxhe ka qenë nënkryetar i bashkisë dhe ka qenë si të thuash “kali i punës”, deklaroi ish-ministri.

“Unë shpresoj që Gonxhe të bëjë diçka ndryshe dhe tu japë një zë të fortë zhvillimeve të ekonomisë shqiptare”, shtoi ai.

Me ndryshimet e qeverisë shkrihet ministria e Elva Margaritit dhe zvogëlohet portofoli i Ervin Metes, që do jetë ministër vetëm i Financave. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:23
Raporti me Ahmetajn, Malaj nuk kursehet: Nëse partneri që zgjidhni s’ka integritet do ta përdorë energjinë e tij për t’ju vrarë, jo për t’ju shërbyer

 

I rikthyer pas në kohë ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Malaj ka folur për njohjen me Arben Ahmetajn dhe për mënyrën si përfunduan raportet mes tyre. Në emisionin Frontline në Report Tv Malaj tha se nuk ka besuar që një njeri që ka promovuar vetë ai, pra në rastin konkret Ahmetaj, do të merrte përsipër që ta shkarkonte.

“Me Ahmetajn kam pasur një marrëdhënie të veçantë se kam punuar në 97, pastaj u ndamë për arsye që më shumë se kushdo i di vetë ai. Nuk e besoja që një njëri që kisha promovuar me shumë dëshirë të merrte përsipër të më shkarkonte. I thashë kërkoji Ramës të vijë dikush tjetër dhe jo ti...”, shtoi Malaj.

I pyetur si u njoh me Ahmetajn ai tha: “Po përgjigjem ne një citim, që këshillon që nëse përzgjidhni një partner duhet ta shikoni për tre cilësi: I formuar mirë, me energji pozitive dhe me integritet. Nëse s’ka integritet do ta përdorë energjinë e tij për t'ju vrarë ju dhe jo për t'u shërbyer”.

Ora 20:09
Berisha në arrest shtëpie, Malaj: Do doja të mos kishte pasur këtë fund, më mirë të ishte tërhequr nga politika

 

Fundi politik i Sali Berishës duket se do të jetë në arrest shtëpie. Këtë mendim ndan dhe ish ministri Arben Malaj i ftuar në emisionin “Frontline” në Report Tv me Marsela Karapançon.

“Sfida jonë si politikanë është rreth trashëgimisë që do të lësh. Qëndrimi i Berishës ka të bëjë me trashëgiminë që ka lënë. Ai e ka humbur.  Do të dëshiroja të kishte një fund jo si ky por të kishte bërë një tërheqje nga politika. Debati që kemi bërë ne është se ne do të krijojmë një kulturë tjetër.”

Ora 20:00
E shkarkoi nga Banka e Shqipërisë në 2019, Malaj: Rama u soll arrogant, ka defekte të mëdha si lider

 

Shkarkimin në 2019 si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Arben Malaj e kujton ende me një shije të hidhur. I ftuar në Frontline në Report Tv me gazetaren Marsela Karapanço, Malaj tha se kryeministri Edi Rama u soll në mënyrë arrogante me të.

“S’kam asgjë individuale me Ramën por me mënyrën arrogante si u soll me mua dhe largimi në mënyrë arrogante nga bordi i BSH tregon difektet e mëdha që ka Rama si lider. Nuk ndiej mall për atë kohë sepse s’i kam shkëputur marrëdhëniet me PS dhe njerëzit të saj”, tha ai.

Një koment pati dhe për fjalimin që ka mbajtur në parlament në atë kohë.

“Kam pasur përgjegjësi dhe asnjëherë nuk e kam tundur kokën sepse kam menduar se përmbush më mirë besimin që më japin shqiptarët”, shtoi Malaj.

E mohoi kategorikisht rikthimin në politikë.

“Unë nuk kam ambicie politike dhe jam i kënaqur me ato që bëj sot. Kur një derë mbyllet një portë hapet e kam bërë pasi dola nga politika. Tani po bëj një libër për skemat piramidale në Shqipëri”, tha më tej ish-ministri.

 

Ora 19:33
Apeli i Malajt: Të rikonstrukturohen investimet në infrastrukturë, të thithim më shumë fonde nga BE

 

“Prioritet në të gjithë modelet e rritjes ekonomike është kapitali human, cilësia e arsimit dhe Shëndetësisë. Por investimet në infrastrukturë kanë ndikim pozitiv edhe të shëndetësia arsimi dhe në biznes. Duhet ristrukturim tjetër i investimeve në infrastrukturë.”.

Kështu tha ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Malaj në një intervistë në “Frontline” në Report Tv. Ai tregoi dhe një bisedë me përfaqësues të Bankës Botërore në kohën kur ka qenë në detyrë.

“Infrastruktura shqiptare ishte nga më të këqijat. Zv presidenti i BB kur erdhi në Shqipëri në takimin me të informalisht më tha se rrugët e Shqipërisë janë më të këqija se rrugët e Afrikës. Këshilla ime është që modernizimi i infrastrukturës shqiptare duhet bërë. Apeli për qeverinë është që duhet të thithim më shumë nga fondet e BE”.

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ndergjegja: 10/01/2024 12:18

    Doli ky strategy i piramidave.....gjynah i shkreti nga 2019 se ngjyer fare ne pasurite publike kodoshi.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari