Përjashtimeve deri në disa javore të deputetëve opozitarë për shkak të sjelljes në Kuvend, Partia Demokratike synon t’i vendosë ‘fre’, jo duke i dhënë fund kaosit në seanca por përmes ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit.
Dy nga shtatë amendime të Rregullores që PD propozon lidhen me masat disiplinore ndaj deputetëve. Partia Demokratike thotë se Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend, që vendos masat, nuk duhet të ketë më 5 anëtarë, ku shumicën e ka mazhoranca, por anëtarësia duhet të jetë e barabartë.
“Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend përbëhet nga një sekretar dhe 5 anëtarë, në raporte të barabarta mes shumicës dhe pakicës parlamentare”, propozon PD që të rishkruhet neni 10 pika tre e rregullores.
Gjithashtu propozohet edhe riformulimi i nenit 65/3 të rregullores që të sanksionojë sipas PD që nëse deputeti ankimon masën disiplinore ajo pezullohet deri në vendimmarje të Byrosë së Kuvendit.
Në draftin e depozituar në Kuvend, edhe si një përgjigje të propozimeve në dy dokumente të ndryshme të PS dhe të kryeparlamentarit Peleshi, Partia Demokratike kërkon të ndalohet gjithmonë seancat plenare pas orës 22 të mbrëmjes, si vazhdimësi e një shqetësimi që opozita e ka shprehur edhe më herët.
“Nëse seancat plenare zgjasin më shumë se ora 22:00 atëherë ajo seancë ndërpritet dhe rifillon ditën tjetër në orën 10:00 të paradites”, thotë PD.
Aktualisht Partia Socialiste ka 11 këshilltarë si pjesë e stafit mbështetës mbështetës dhe Partia Demokratike 8 këshilltar, por PD kërkon që dy forcat më të mëdha politike të kenë numër të barabartë stafi i cili në asnjë rast të mos jetë më pak se numri i përgjithshëm i komisioneve të përhershme parlamentare.
Krahas draftit, PD ka depozituar në Kuvend edhe komente apo qëndrime për propozimet e PS-së, që më së shumti lidhen me arkitekturën e komisioneve dhe kohën e folësve në Kuvend.
PD ka kërkuar që komisioni parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme të ndahet në dy komisione siç ka qenë para vitit 2025. PD kërkon që të ketë Komision për Çështjet Evropiane dhe Komision për Punët e Jashtme. Më herët komisioni për Çështjet Eurpiane drejtohej nga PD por socialistët e bashkuan me politikën e jashtme duke ia hequr drejtimin e opozitës.
Gjithashtu, opozita kërkon të tërhiqet propozimi që shkurton kohën për fjalën e deputetëve nga 10 në 5 minuta si dhe nga nisma për të kaluar me procedurë të përshpejtuar të gjitha aktet që kanë të bëjnë me integrimin dhe ato të shqyrtohen me procedurë normale parlamentare.
Me propozimet e mëhershme të PS kërkohej që drejtuesit e institucioneve të pavarura të mos raportojnë më në kuvend dhe në komisionet përgjegjëse por vetëm tek Komisioni i ashtuquajtur “Xhafa” por PD kërkon që ata të vijojnë të raportojnë në seancë plenare.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente








