Ndryshimet në SHISH, alarmi i
Fatos Klosit: Duhet të trembemi

Ndryshimet në SHISH, alarmi i <br />Fatos Klosit: Duhet të trembemi
TIRANE - Duhet të trembemi! Fatos Klosi ka paralajmëruar sot shoqërinë shqiptare përmes një interviste në TV A1Report në lidhje me synimet e Kryeministrit Sali Berisha për të vënë nën kontroll institucionet më të rëndësishme të Shtetit. Reagimi Klosit vjen një ditë pasi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shkarkoi pasardhësin e Klosit, kreun e SHISH, Bahri Shaqirin, dhe emëroi në vend të tij Visho Likën, ish-shef i Kundërzbulimit në SHIK-un famëkeq të Bashkim Gazidedes.

Klosi pohoi se CV-ja e Visho Likës ishte false pasi ai nuk ka punuar kurrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Shqiptarja.com dhe TV A1Report zbuluan sot se CV-ja e Likës ishte zhdukur nga faqja online e Kryeministrisë. Sipas Klosit kjo zhdukje ishte e qëllimshme pasi përmes saj “u bë falsifikim i së vërtetës”.

Ai foli me nota negative në lidhje me punën e Visho Likës në SHIK dhe e cilësoi si “skandaloz” shërbimin sekret të viteve 1992-1997, kur Lika mbante postin e shefit të Kundërzbulimit.

Mënyra e shkarkimit të Shaqirit është për të ardhur keq, tha Klosi, ndërsa theksoi se “nga mënyra se si u veprua duhet të trembemi”. Shkarkimin e pasardhësit të tij, Klosi e cilësoi si të papritur dhe të padëshirueshëm.

Gjatë intervistës me gazetaren Ola Bruko, ai shtoi se Kryeministri Berisha në këtë lëvizje nuk është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë duke vepruar me kokën e tij.

Klosi theksoi se lideri historik i Partisë Demokratike ka dashur gjithmonë që të eliminojë ose të mbajë nën kontroll shërbimet sekrete dhe me këtë veprim të zyrtarizuar dje nga dekreti i parë i Presidentit Nishani “arriti atë që dëshironte”.

Sipas Klosit, Shaqiri ka qenë mjaft i përgjegjshëm në detyrën e tij në krye të SHISH por Kryeministri dëshironte në atë post një njeri të besuar, ndaj dhe “me zor priti të bënte këtë lëvizje”.

Klosi kritikoi edhe Kreun e Shtetit Bujar Nishani duke theksuar se do të ishte mirë që ky të mos kishte qenë dekreti i parë i tij në funksionin e Presidentit. E qëllimshme, sipas ish-kreut të shërbimeve sekrete, ishte edhe momenti në të cilin u dekretua vendimi, që u bë “enkas në kohë pushimesh”.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!