Ndryshimet, rregullat e reja për kreditë me interes të ulët

Ndryshimet, rregullat e reja për kreditë me interes të ulët

Këshilli i Ministrave ka vendosur ditën e djeshme masën e subvencionit, kush e përfiton dhe institucionet që do të merren me verifikimin e procesit.

Subvencioni

Në VKM përcaktohet se masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për banesa me kosto të ulët, bazuar në ligjin nr.22/2018, “Për strehimin social”, do të jetë e barabartë me diferencën që rezulton ndërmjet interesit vjetor të kredisë në tregun e lire, me interesin në varësi të aftësisë përballuese të familjes, me kusht që interesi dhe principali që paguan familja të mos jenë më të mëdha së aftësia e familjes për t’i përballuar.
Në rastet kur këstet mujore me interes të subvencionuar rezultojnë më të larta se aftësia e familjes për t’i përballuar ato, familja kalon për trajtim në një program tjetër të përballueshëm për të.

Llogaritja e masës së subvencionit të interesave të kredisë do të bëhet në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e kredisë, ndërmjet individit/familjes përfituese dhe institucionit financiar, mbështetur në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet institucionit financiar dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin ose njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Përjashtim bëhet vetëm për familjet qiramarrëse që banojnë në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat përfitojnë subvencion 100% të interesit të kredisë. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%.

Kush përfiton

Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët me kredi fillon me përzgjedhjen e institucionit financiar që do të kreditojë familjet. Përzgjedhja e institucionit financiar, që do të kreditojë familjet, bëhet me procedurë konkurrimi nëpërmjet një oferte publike dhe transparente ftohen të gjitha institucionet financiare, që kryejnë shërbime për dhënien e kredive në territorin e Republikës së Shqipërisë; oferta publike shoqërohet edhe me kriteret për vlerësimin e ofertës fituese. Vlerësimi i ofertave duhet të marrë parasysh kostot më të ulëta për buxhetin dhe kostot më të përballueshme për familjet.

Kërkesat

Individi/familja që aplikon për subvencionimin e interesave të kredisë paraqet në strukturën përkatëse të njësisë së vetëqeverisjes vendore dokumentacionin që lidhet me plotësimin e kushteve të përgjithshme. Lista e familjeve që plotësojnë kushtet e subvencionimit të interesave të kredisë miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Miratimi, me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, i listës së familjeve që plotësojnë kushtet për subvencionimin e interesave të kredisë, nuk e bën familjen automatikisht përfituese. Institucioni ndjek të gjitha procedurat e veta për përfitimin e kredisë dhe verifikon aftësinë përballuese të individit/familjes, mbështetur në të ardhurat që kanë, me qëllim që përfituesi të zgjedhë në treg për blerje me kredi një banesë që i përshtatet kushteve specifike të tij. Institucioni financiar bën vlerësimin për banesën e zgjedhur dhe aftësinë për ta përballuar shlyerjen e kësteve të kredisë nga përfituesi, mbështetur në programin e subvencionimit të interesave të kredisë.

Dokumentat

Për efekt të përfitimit të subvencionimit të interesave të kredisë, individët/familjet, që janë miratuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, paraqiten pranë strukturës përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore për të bërë deklaratën për dhënien e pëlqimit për përdorimin e të dhënave personale, me qëllim rifreskimin e dokumentacionit që lidhet me vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit; vërtetimin nga bankat për gjendjen e llogarive dhe të depozitave të familjes/individit; dokumentin e lëshuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore për dhënien e statusit të individit/familjes që përfiton për subvencionimin e kredisë; certifikatën e gjendjes familjare; adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës.

Banesa

Individët/familjet e miratuara me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore duhet të kujdesen për gjetjen e një banese për blerje me kredi dhe kanë një afat 6-mujor nga data e marrjes së njoftimit për lidhjen e kontratës me institucionin financiar. Në rast se pas kalimit të këtij afati individi/familja ende nuk ka gjetur banesë, paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë për të kërkuar shtyrje të afatit.

Kur familja paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë brenda 6 muajve nga data e njoftimit (publik/shpallja e listave/me shkresë), duke kërkuar shtyrje të afatit, emri i subjektit vazhdon të qëndrojë në listë pritjeje edhe për 6 muaj të tjerë.

Në rast se familja nuk paraqitet brenda 6 muajve dhe as ka kërkuar shtyrje të afatit, veprohet, si më poshtë vijon: kur nga njësitë e vetëqeverisjes vendore janë dërguar lista rezervë, sipas pikës 21, të këtij vendimi, institucioni financiar vijon me listën emërore rezervë; kur lista rezervë është shterruar, njësia e vetëqeverisjes vendore harton listën e radhës me subjekte që plotësojnë kriteret ligjore dhe janë renditur më poshtë me pikë.

Interesi zero

Individët/familjet përfituese të kredisë me interes 0%, që janë qiramarrës në banesa pronë e subjekteve të shpronësuara, duhet të paraqesin një deklaratë pranë nëpunësit të institucionit publik, të ngarkuar nga qeveria, në përputhje me rregullimet e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.3/2012, të Këshillit të Ministrave, që ai dhe familja e tij pranojnë të lirojnë banesën e pronarit brenda 30 ditëve, nga data e lëvrimit të kredisë, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në marrëveshjen me pronarin/pronarët. Institucioni financiar nuk lidh kontratën me përfituesin në mungesë të deklaratës së mësipërme.

Shlyerja

E drejta e shlyerjes së kredisë nuk mund t’i kalojë një personi tjetër. Në rast se familja, për shkaqe ekonomike, nuk mund të vazhdojë më shlyerjen e kredisë, njofton menjëherë institucionin financiar dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse. Për çdo rast bëhet vlerësimi i shumës së shlyer nga familja, subvencionimit të interesave të kredisë, që ajo ka përfituar nga shteti, dhe pjesës së ngelur të kredisë. Në marrëveshje ndërmjet institucionit financiar, familjes dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore mund të jepet njëra prej zgjidhjeve të mëposhtme: familja mund t’i kalojë të drejtën e shlyerjes së kredisë një familjeje tjetër, që është në listën e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe përmbush të njëjtat kritere për përfitimin dhe shlyerjen e kredisë. Mënyra e kalimit të kësaj të drejte dhe marrëdhëniet ndërmjet dy familjeve rregullohen me akt noterial mes palëve të interesuara; banesa mund të kalojë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore vetëm kur kjo e fundit merr përsipër shlyerjen e detyrimeve që i takon familjes në mënyrë të menjëhershme ose me kredi, sipas plan – pagesave të familjes. Në këtë rast, familja kalon me kontratë qiraje sociale me njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe subvencionimi i interesave të kredisë nga buxheti i shtetit ndërpritet. Nëse nuk plotësohet asnjë nga dy alternativat e mësipërme, banesa vlerësohet dhe shitet në ankand, sipas procedurave të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile.

Ndërprerja

Institucioni, që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet, qofshin rastësore ose jo, bazuar në ankesa apo denoncime të individëve a institucioneve, konstatohet se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar; ka falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme.

Të drejtat

Familja, që ka përfituar banesë me kosto të ulët, nuk mund t’i kalojë të drejtat që ajo ka mbi këtë banesë te një individ tjetër ose ta lëshojë atë me qira gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë.

Vendimi është parashikuar të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë