BBC Verify është informuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë se në një draft të një komunikate për shtyp që njoftonte vdekjen e të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein në vitin 2019, ishte vendosur gabimisht një datë e pasaktë.

Dokumenti, për të cilin Departamenti thotë se ka qarkulluar vetëm brenda institucionit, mbante datën 9 gusht 2019. Epstein vdiq nga vetëvrasja më 10 gusht. Drafti u bë publik pas daljes së faqeve të reja të dosjes së çështjes.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se data e gabuar ishte vendosur në një version paraprak të dokumentit.

Drafti i njoftimit, i cili shpallte se Epstein “ishte gjetur pa ndjenja në qelinë e tij” në Metropolitan Correctional Center në New York, ishte shënuar për publikim më “të premten, 9 gusht 2019”.

Por një raport i deklasifikuar i FBI-së mbi vdekjen e Epsteinit në paraburgim, si dhe autopsia, dokumentet e brendshme të burgut dhe fotografitë, tregojnë të gjitha se ai u gjet i vdekur të shtunën, më 10 gusht 2019.

“Deklaratat zyrtare lidhur me vdekjen e Jeffrey Epstein u redaktuan dhe u qarkulluan në disa zinxhirë emailesh brenda Distriktit Jugor të Nju Jorkut duke filluar nga 10 gushti 2019. Ndonëse draftet fillestare të deklaratës përmbanin datën e mëparshme, ishte thjesht një gabim fatkeq shtypi, i cili u korrigjua më pas për të pasqyruar datën e saktë para se të bëhej publik. Çdo sugjerim se departamenti ka përgatitur një deklaratë përpara vdekjes së Jeffrey Epstein është i pavërtetë”, tha Departamenti.

Gabimi ka nxitur teori konspirative sipas të cilave Epstein është ende gjallë. Shembuj të tjerë përfshijnë imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që duket se e tregojnë atë në Izrael, si edhe pretendime të rreme se ai kishte përdorur lojën e njohur online Fortnite shumë kohë pas vdekjes së tij.