Pas vdekjes së 54-vjeçarit italian gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale në Shqipëri për ngushtimin e stomakut, Prokuroria e Padovës ka nisur hetimet për shkaqet. Siç shkruajnë mediat italiane, mjeku ligjor, i ngarkuar nga prokuroria për të bërë autopsinë e Massimo Ferros, nuk ka arritur të dalë në një konkluzion. 

Ekzaminimet pas vdekjes ishin të pamundura pasi në trupin e pacientit, mungonin disa organe të cilat iu hoqën gjatë autopsisë në Shqipëri dhe janë ende në laboratorin e mjekësisë ligjore në Tiranë. Ndër organet që mungojnë është stomaku, i konsideruar i rëndësishëm për hetimet. 

Për t’i analizuar ato, shkruan ‘Il Gazzettino’, mjeku ligjor në Padova do të duhet të presë përfundimin e analizave nga kolegët e tij në Tiranë dhe më pas të kërkojë, përmes një letër porosie, dorëzimin e dokumentave të nevojshme për të kryer vlerësimin e tij, e më pas t’i dorëzojë në prokurori. Trupi i të ndjerit pritet t’u dorëzohet sot familjarëve për të kryer funeralin.  

Sipërmarrësi italian ndërroi jetë në QSUT më 22 dhjetor, katër ditë pas operacionit në stomak për humbje peshe në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë. Familja e tij akuzon se nuk iu bënë analiza dhe kontrolle para operacionit dhe kërkon drejtësi. 

Nuk dihet nëse ka një hetim në Shqipëri, ndërsa Prokuroria e Padovës po heton mjekun kirurg në Milano, i cili e rekomandoi pacientin të operohej në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë.