Kreu i Shteti Ilir Meta tha se ndryshimi i kufijve nuk është kurrë zgjidhje, por respektimi i standardeve europiane për pakicat. Gjatë ceremonisë së organizuar nga Ambasada e Kosovës me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Meta tha se nuk ka popull të keq apo të mirë dhe se në Ballkan çdo popull është pakicë në një vend dhe shumicë në një tjetër. Presidenti u shpreh se e vetmja zgjidhje dhe e ardhme e popujve është bashkëjetesa dhe vlerat europaine që duhet të përkrahë rajoni i Ballkanit.
'Në Ballkan nuk ka popull të keq dhe popull të mirë, por ka politikë të mençur dhe vizionare dhe politikë vrastare dhe shkatërruese. Kjo është e vlefshme për të gjithë vendet dhe popujt. Në Ballkan çdo popull është pakicë në një shtet dhe shumicë në një tjetër dhe zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve, por e vetmja zgjidhje është respektimi i standardeve evropiane i çdo pakice në çdo vend. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka bërë dhe bën përpjekjet maksimale për respektimin e pakicave.
Pavarësisht nga historia nuk duhet të udhëhiqemi nga paragjykimet me Serbinë për marrëdhëniet në të ardhmen. Fryma e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit është zgjidhja e problemeve historike për të mos qenë peng i tyre. Është koha që Serbia e Kosova të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre dhe normalizimi do të vijë vetëm përmes njohjes së ndërsjelltë të tyre si shtet, ashtu siç theksoi në mesazhin e tij dhe sekretari amerikan i shtetit, Pompeo.
Kosova e pavarur është faktor stabiliteti për të gjithë rajonin tonë. E vetmja e ardhme dhe zgjidhje është bashkëjetesa dhe vlerat evropiane ', tha Meta.
Ndryshimi i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës ishte një nga tezat e shumëdiskutuara ku u hodhën akuza ndaj Presidenti të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Rama se po tentojnë të ndajnë Kosovën, ndërsa kryeministri i Kosovës i larguar, Ramush Haradinaj ishte kundër kësaj teze.
Pjesë e ceremonisë për pavarësinë e Kosovës, ishte edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila uron pavarësinë e Kosovës.
'Urime për pavarësinë e Kosovës', shkruan Yuri Kim krahas fotos mes presidentin Meta dhe ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Nait Hasani . Në ceremoni ishte edhe presidenti Meta, i cili mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi se njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë dhe bashkëjetesa mes tyre do të sjellë shuarjen e konflikteve historike mes tyre.
SHBA është një nga aleatët që ndihmoi dhe luftoi për një Kosovës të pavarur dhe sot qeveria Trump është e përfshirë drejtpërdrejtë për të arritur një marrëveshje sa më shpejt mes Kosovës dhe Serbisë.