Periudha e vjeshtës shoqërohet me rritje të numrit të virozave për shkak të ndryshimeve të motit dhe temperaturës.

Mjekja Bruna Shiroka, në Qendrën Shëndetësore nr 3 në Tiranë, tregon për Report TV se nga vaksina antigrip duhet të përfitojnë kategoritë më të rrezikuara si fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, e sidomos ata me sëmundje që kanë probleme me aparatin e frymëmarrjes.

“Duke e vaksinuar një pjesë të brishtë të popullatës mund të ulim rastet të prekura nga virozat e stinës sidomos nga gripi stinor. Të ulim gravitetin e shenjave shfaqjes së virozëve dhe gripit  klasik, duke e parandaluar shfaqjen e tyre në një shkallë të rëndë”, tha doktoresh Shiroka.

Mjekja Shiroka sqaron se vaksina antigrip mund të aplikohet edhe nga pjesa tjetër e popullatës.
“Vaksinat që ne posedojmë për qytetarët dhe pranë personelit shëndetësorë, nuk është e mjaftueshme për të mbyllur gjithë kategoritë e popullatën. Ne vlerësojmë situatat që janë më me shumë risk.”

“Ne e ofrojmë vaksinën për kategoritë me risk, por edhe pjesës tjetër që nuk janë të riskuara ne u këshillojmë, pacientët janë të lirë ta blejnë në farmaci. Është një kategori që ne nuk kemi target ti mbulojmë të gjitha kategoritë e popullatës, por vetëm për fëmijët dhe të moshuarit, thotë mjekja Bruna Shiroka”, shpjegon Shiroka.

Vaksinimi kundër gripit duhet të kryhet përpara, në fillim dhe gjatë sezonit të gripit. Efektet anësore më të zakonshme janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit që kalojnë pas 1 ose 2 ditësh, temperaturë e lehtë dhe kruajtje.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com