Qeveria ka ndryshuar rregullat se si doganat do të llogarisin vlerën e mallrave dhe automjeteve që futen në Shqipëri. Udhëzimi nr. 26, datë 17 dhjetor 2025, i Ministrisë së Financave ka përditësuar rregullat e vitit 2018 dhe synon të ndalojë nënvlerësimin e mallrave në procesin e zhdoganimit. Si rrjedhojë, doganat do të përdorin burime të përditësuara ndërkombëtare për çmimet e karburanteve, metaleve, ushqimeve dhe automjeteve, për të shmangur deklarimet me vlera më të ulëta se ato reale.
Për karburantet dhe disa metale si bakri, alumini dhe zinku, çmimet referuese do të përditësohen çdo ditë pune. Ndërsa për ushqimet, çelikun, plastikën dhe bitumin, përditësimi do të bëhet çdo dy javë. Sa i përket automjeteve, janë vendosur çmime minimale që do të përdoren nga Doganat në rastet kur fatura e blerjes nuk pranohet. Kjo do të thotë se automjetet shumë të vjetra ose të blera me çmime shumë të ulëta jashtë vendit nuk mund të zhdoganohen më me vlera të papërfillshme, pasi tashmë ekzistojnë tabela orientuese me kufij minimalë çmimesh, sipas motorit ose peshës së mjetit.
Një ndryshim i rëndësishëm prek edhe makinat me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet e referencës. Në këto raste, udhëzimi përcakton çmime minimale fikse, poshtë të cilave nuk mund të llogaritet vlera doganore. Kështu, automjetet e përdorura të importuara nga Europa, Koreja e Jugut, Kina apo vende të tjera do të zhdoganohen me vlera më të larta referuese.
Sipas udhëzimit çmimet minimale për autoveturat sipas kapacitetit mbajtës janë:
deri në 1.4 motor: jo më pak se 162 500 lekë
1.4–1.9 motor: jo më pak se 250 000 lekë
1.9–2.5 motor: jo më pak se 406 000 lekë
2.5–3.0 motor: jo më pak se 500 000 lekë
3.0–4.5 motor: jo më pak se 625 000 lekë
mbi 4.5 motor: jo më pak se 1 000 000 lekë
Ndërsa për kamionçina, furgona dhe kamionë, çmimet minimale sipas kapacitetit mbajtës janë:
deri në 1.5 tonë: jo më pak se 500 000 lekë
1.5–3.5 tonë: jo më pak se 750 000 lekë
3.5–10 tonë: jo më pak se 1 062 500 lekë
10–15 tonë: jo më pak se 1 250 000 lekë
mbi 15 tonë: jo më pak se 1 500 000 lekë
Me këto ndryshime, qeveria synon të ndalojë nënvlerësimin e automjeteve në zhdoganim dhe të vendosë rregulla të njëjta për të gjithë importuesit. Udhëzimi ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Tregu i automjeteve ka përjetuar një rritje të fortë gjatë këtij viti . Gjatë periudhës Janar- Nëntor 2025, u regjistruan për herë të parë 89.654 mjete, një rritje prej 96% krahasuar me vitin 2019.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, autoveturat përbëjnë 81.5 të regjistrimeve, duke arritur në 73.066 Mbi 80% e tyre kanë mbi 8 vite përdorim, duke konfirmuar varësinë e lartë të shqiptarëve nga tregu i makinave të përdorura.

Kliko këtu për të lexuar udhëzimin e plotë
Komente











Kush eshte inteligjent dhe ka kapital blen 30-50 makina deri ne 29 dhjetor dhe i shet me cmimet e vjetra ka fitim , kryesisht SUV dhe 4x4 po shiten shume kohet e fundit !
Përgjigju