TIRANE- Përmes një projektligji të depozituar për miratim në Kuvend, Këshilli i Ministrave propozon ashpërsim drastik të dënimeve për kontrabandë, të cilat mund të arrijnë edhe deri 10 vjet heqje lirie. Dënimet në fjalë parashikohen jo vetëm për veprën penale të kontrabandës, por edhe në rastet kur bëhet fjalë për depozitimin e ruajtjen e këtyre mallrave, ashtu si dhe për tregtimin e tyre në territorin shqiptar.

Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë dënime me 10 vjet heqje lirie edhe në rastet e kontrabandimit të vlerave kulturore. “Importimi, eksportimi apo transitimi i vlerave kulturore kombëtare në kundërshtim me dispozitat ligjore në lidhje me to dënohen me burgim deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”, thekson projektligji.