Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar për shqyrtim dhe miratim projektligji për ndryshimin e Kodit Rrugor. Ndryshimet e propozuara nga qeveria parashikojnë që kontrollit teknik (kolaudimi) i makinave nuk do të bëhet më çdo vit, por një herë në dy vjet. Pra, kushdo që ka një makinë personale, kolaudimin do të bëjë një herë në dy vjet. Makinat e reja nuk do të kryejnë kontroll teknik tre vitet e para nga data e regjistrimit. Përjashtim përbëjnë taksitë, autoambulancat, furgonët, autobusët dhe të gjitha llojet e kamionëve, pra mjetet e transportit të mallrave, të cilat do të kryejnë kontrollin teknik një herë në vit.

Për herë të parë, parashikohet funksionimi i një qendre informacioni, për identifikimin e drejtuesve të mjeteve, të cilëve u kaluar mbi 30 ditë afati i siguracionit. Ata do të dalin në sistem dhe kështu do gjurmohen lehtësisht nga policia. Gjoba do të jetë nga 100 deri në 400 USD, si dhe detyrimi për t’u pajisur me siguracionin vjetor.

Ndryshimet janë një mesazh i fortë për shoferët e papërgjegjshëm. Drejtuesit e mjeteve që do të humbasin totalin e pikëve të patentës, do të rikthehen edhe një herë nga fillimi në autoshkollë, do ndjekin kursin përkatës dhe më pas do të japin provimin. Kodi në fuqi parashikonte vetëm dhënien e provimit. Ndërkaq, kushdo që tejkalon kufijtë minimalë dhe maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, do gjobitet nga një mijë deri në tre mijë lekë.

Është sanksionuar që kushdo që tejkalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë për më shumë se 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, do ndëshkohet me gjobë nga 100 deri në 200 USD, do t’i hiqet patenta nga 3 deri në 6 muaj, si dhe do t’i hiqen pikët.

Drejtuesit e mjeteve që përsërisin një nga shkeljet tejkalimit të shpejtësisë brenda dy viteve, do t’u pezullohet patenta nga 8 deri në 12 muaj. Përpos të tjerave, për herë të parë do të ketë ndëshkim të ashpër edhe për parkimin e gabuar. Cilido që parkon në mënyrë abuzive 3 herë brenda një viti, përveç gjobës, do t’i hiqen pikë nga leja e drejtimit.

Drejtuesit e motoçikletave duhet të mbajnë një jelek fosforeshent, ndryshe do ndëshkohet me gjobë, nga një mijë deri tre mijë lekë. Ndërkaq, sipas ndryshimeve, për drejtuesi i mjetit do ndëshkohet me gjobë nga një mijë deri në tre mijë lekë, nëse konstatohet se në mjetin që ai drejton ka pasagjerë që nuk kanë vendosur rripin e sigurimit.

Gjoba për shoferët që përdorin telefon nga pesëqind deri në një mijë e pesëqind lekë do të dhjetëfishohet, duke u bërë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë ose 150 USD. Në rast përsëritje 3 herë brenda vitit, do t’i hiqet patenta 3 muaj si dhe pikët.

Gjobë deri në 400 USD, heqje e patentës deri në dy vjet, heqje të të gjitha pikëve dhe procedim penal, do të ketë për shoferët që kapen në gjendje të dehur. Masa edhe më ashpra parashikohen për ata që shkarkojnë aksidente dhe që largohen nga vendi i aksidentit.

(Kliko ketu per te lexuar ndryshimet ne Kodin Rrugor)