Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj, i cili u shton kategoritë e personave që përfitojnë pension special nga shtetit, nëse kanë dhënë kontribut dhe kanë spikatur në profesionet e tyre. Nisma e propozuar nga qeveria që në shkurt të këtij viti dhe që pritet të miratohet nga Parlamenti në ditët në vijim, shton sportistët si një kategori e re, për të përfituar pension të posaçëm. Projektligji ndryshon shkronjën ‘b’ të nenit 5 të ligjit për sigurimet shoqërore të vitit 1993, duke parashikuar që njerëzit, të cilët kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e sportit kanë të drejtë të përfitojnë pension shtetëror të posaçëm.

Në relacionin e projektligjit, qeveria sqaron Kuvendin se “duke marrë shkas nga rëndësia e sportit dhe e kontributit të dhënë ndër vite nga sportistë elitarë në këtë fushë, propozohet që të drejtën për të përfituar pension të posaçëm ta kenë edhe këta individë. Ndryshimi që propozohet me këtë projektligj shihet si përparësi në motivimin e individëve për gjithëpërfshirjen e tyre në fushën e sportit”. Për hartimin e këtij projektligji ka kontribuar ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nisma është dërguar për mendim në ministrinë e Drejtësisë, e cila është shprehur dakord me sugjerimet. Më pas qeveria e ka dërguar në Kuvend, i cili e ka përfshirë në axhendën e punimeve.

Ligji aktual në fuqi parashikon se pension special shtetëror kanë të drejtë të përfitojnë politikanët me rezultate të dallueshme në politikë, njerëzit e shkencës, kulturës, arteve dhe ekonomisë. Gjithashtu kanë të drejtë të përfitojnë personat që kanë vuajtur nga persekutimi politik në rrëgjimin komunist si dhe personat që kanë marrë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit e ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë dhe në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta.

Pensionin e posaçëm është shtesë mbi pensionin që iu takon këtyre kategorive nga sigurimet shoqërore ose edhe pension i vetëm nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore. Shuma e pensionit të posaçëm është 29.000 lekë të rinj në muaj, e cila i shtohet pensionit të pleqërisë. Ajo është katërfishi i pensionit social, shuma e të cilit është 7.262 lekë të rinj në muaj. Shuma e pensionit të posaçëm plus shumën e pensionit e pleqërisë nuk mund ta kalojë shifrën prej 58.000 lekësh të rinj në muaj ose 580 mijë lejë të vjetra në muaj.