'Ndryshon metodologjia, brenda 31 janarit konsensus të plotë në BE për integrimin e Shqipërisë', Balla: Të punohet për të ndalur emigrimin (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka deklaruar se metodologjia e vlerësimit nga ana e Komisionit Europian mund të ndryshojë. Balla tha se beson që pas datës 31 janar të ketë një konsensus të plotë mes 27 vendeve anëtare të BE për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai deklaroi se ka një rënie të numrit të atyre që kërkojnë azil në vendet e BE, ndërsa shtoi se emigracioni mbetet një fenomen shqetësues. Sipas tij qeveria dhe të gjithë aktorët duhet të punojnë me hartimin dhe zbatimin e politikave të mirëfillta për të ndalur uljen drastike demografike të popullsisë si një emergjencë kombëtare që mund të zbusë efektet që mund të ketë nesër në ekonomi një fakt i tillë.

"Do doja të ndaja me ju faktin se metodologjia e vlerësimit nga partnerët tanë mund të ndryshojë, më 29 janar KE do të publikojë metodologjinë e re të vlerësimit dhe të monitorimit të zbatimit të detyrave të shtëpisë nga vendet kandidate, në kuadër të vlerësimit qoftë të ecurisë së procesit të para hapjes së negociatave, qoftë me procesin tjetër që pason, dhe ku unë jam besimplotë se gjatë këtij viti Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisin bisedimet.

Megjithëkëtë në lidhje me publikimin e metodologjisë së re që pritet të publikohet në fillim të shkurtit, vetë Komisioni Europian rikonfirmoi se “paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë e re të ndryshuar, KE i qëndron rekomandimit se bisedimet për anëtarësim duhen çelur sa më parë me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut”. Rekomandimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mbetet një konstante e pandryshuar për Komisionin Europian. Besoj se brenda 27 vendeve të BE-se pas 31 janarit, te kete nje konsensus te plote lidhur me bisedimet për anëtarësim. Sot dua të flas mbi nevojën për të shkurajuar lajmin e rremë apo batakut (“fake neës”) që shqiptarët po largohen më shumë sot se 5 apo 10 vjet me parë. Raportimet dhe studimet mbi trendet demografike për vendin tonë në raport me rajonin e Ballkanit janë më optimiste sesa lajmi i rremë, por kjo nuk duhet të na pengojë për të qenë të angazhuar në marrjen e masave për të ndaluar aq sa mundemi largimin e qytetarëve nga vendi.

Nëse analizojmë fenomenin e emigrimit, ky i fundit është një faktor konstant për vendin tone, për rajonin e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë për sa kohë dallimet në të ardhurat për frymë dhe standardit të jetesës midis vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Europës Perëndimore do të vazhdojnë të jenë në këto nivele, njerëzit do të kenë arsye për të emigruar.

Se fundmi ne Portugali gjate fushates zgjedhore te zhvilluar 2 muaj me pare, ishte beteja per te rikthyer te larguarit nga Portugalia. Në linjë për sa më sipër më lejoni t’ju sjell në vemendje rastin e Kroacisë e cila në 1 korrik 2013 është anëtare e BE-së, fakt që nënkupton arritjen e standardeve në fushën e demokracisë dhe ekonomisë që ne synojmë të arrijmë. Megjithëkëtë është po ashtu një fakt i pakundërshtueshëm që nga Kroacia, mbas anëtarësimit për periudhën 2013-2016, janë larguar nga vendi rreth çerek milioni kroate, të cilët vendosën të emigronin në vendet e BE-së kryesisht për një standard më të lartë jetese. Prandaj është e qartë që flukset migratore për vendet tona do vazhdojnë të jenë një realitet i pandashëm, por ajo që duhet të punojmë të gjithë së bashku është që të dekurajojmë aq sa mundemi arsyet e migrimit.
Me rëndësi është të theksojmë një aspekt që lidhet me fenomenin e migracionit, i cili po kthehet në shqetësim. Nëse në dy dekadat e para rajoni paraqiste përgjithësisht karakteristikat klasike demografike të vendeve të varfra ku emigracioni masiv kompensohej nga norma të larta lindshmërie. Ajo që po vërehet me shqetësim në Ballkanin Perëndimor, dhe për fat të keq edhe vendi jonë nuk bën përjashtim, është fakti që në vitet e fundit po shfaqen karakteristika demografike të vendeve të pasura si rënie të lindshmërisë dhe një popullsi me tendencë plakjeje ku mosha mesatare po i afrohet asaj të vendeve të Europës Perëndimore.

Instituti i Statistikave (INSTAT) e vërteton këtë fenomen ku në katër vitet e fundit vërehet një përgjysmim i asaj që përkufizohet si shtesa natyrore , diferenca mes numrit te lindjeve me numrin e përgjithshëm të vdekjeve vazhdon të jetë një shifër në ulje. Ndërsa emigrimi për periudhën 2014-2018 paraqet një ulje të lehtë.
Për këtë qëllim qeveria dhe të gjithë aktorët duhet të punojnë me hartimin dhe zbatimin e politikave të mirëfillta për të ndalur uljen drastike demografike të popullsisë si një emergjencë kombëtare që mund të zbusë efektet që mund të ketë nesër në ekonomi një fakt i tillë",
tha Balla.


Lajmi kryesor:

Integrimi/ Voda: Do ngrihet komiteti për monitorimit e emigracionit! Hajdari: Duhet program për të integruar në shoqëri personat e deportuar!


/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg