Kredia
Huaja bankare e dhënë si për bizneset, ashtu dhe individët, është rritur lehtë të muajin korrik, pas një rënieje që kishte pësuar për disa muaj radhazi. Sipas statistikave të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë ishte 545 miliardë lekë, me një rritje prej 1.8 miliardë lekësh (0.3%) në krahasim me muajin e mëparshëm. Rritje kanë shënuar pothuajse të gjithë kategoritë, si për bizneset ashtu dhe për individët, në lekë dhe në valutë. Kjo ishte rritja e parë e portofolit të kredisë për ekonominë, që nga muaji mars.
Megjithatë, shifra 12-mujore vijon të jetë negative, duke rënë me gati 1%, si rrjedhojë e performancës negative me bizneset, kryesisht nga valuta. Huaja për subjektet në monedhën vendase ka rënë 4 miliardë lekë për periudhën korrik 2016-korrik 2017, ndërsa ajo në valutë me 22 miliardë lekë. Këtu ka ndikuar fshirja e huase që ka më shumë se tre vjet që nuk kthehet nga bilancet e bankave, por edhe efekti i kursit të këmbimit, teksa euro është zhvlerësuar ndjeshëm gjatë të njëjtës periudhë.
Dy vitet e fundit ecuria e kredisë për ekonominë ka qenë mjaft e dobët, duke reflektuar ndër të tjera uljen e kërkesës nga bizneset e mëdha, rritjen e kujdesit të bankave që po merren me rregullimin e situatës së kredive me probleme si dhe ecuria relativisht e dobët e ekonomisë.
Më pozitive ka qenë huadhënia për individët, që është rritur me 4.5% më bazë vjetore, më shumën 173 miliardë lekë. Për të njëjtën periudhë huaja për bizneset është ulur me 3.7%.
Ndryshimi i shifrës së kredisë drejt aspektit pozitiv ka ardhur menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, çka flet për atë se pasiguria e periudhës parazgjedhore mund të ketë qenë një faktor me ndikim në ecurinë e kreditimit. Një tendencë e ngjashme është verifikuar edhe për depozitat.
Depozitat
Ndërkohë, edhe depozitat në sistemin bankar i janë rikthyer rritjes gjatë korrikut, pas rënies që kishin shënuar për tre muaj radhazi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në korrik arriti në 994 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3 miliardë lekësh (0.54%) në krahasim me muajin e mëparshëm. Të dhënat zyrtare tregojnë se, nga 988.7 miliardë lekë që ishin në qershor, kursimet në sistemin bankar arritën në 994.1 miliardë lekë.
Sipas Bankës, depozitat në banka arritën nivelin më të lartë historik në dhjetor të vitit të kaluar, kur cekën shifrën 1.014 miliardë lekë. Por në gjysmën e parë të vitit ato ranë me rreth 26 miliardë lekë.
Rritja minimale aktuale ka ardhur tërësisht nga valuta. Huatë në valutë u rritën me 1.1% në krahasim me muajin e mëparshëm, për të arritur në 520 miliardë lekë. Ndonëse jemi një vend ku monedha zyrtare është leku, kursimet e shqiptarëve janë më shumë në monedhë të huaj, kryesisht euro. Në fund të korrikut, depozitat në valutë zinin 52.4% të totalit. Rritja e valutës ka ardhur kryesisht nga shtimi i kursimeve të individëve, që kanë preferuar të vendosin paratë e tyre, kryesisht në llogari rrjedhëse. Kurse zëri që vijon të ketë tkurrjen më të madhe është ai i depozitave me afat të individëve.
Gjatë 3 viteve të fundit (korrik 2014/korrik 2017), nga bankat janë larguar rreth 92 miliardë lekë (gati 700 milionë euro) nga depozitat me afat të individëve. Në të njëjtën periudhë, kursimet total në lekë kanë rënë me 22 miliardë lekë, ndërsa ato në valutë janë rritur me 58 miliardë lekë.
Redaksia online
D.T/Shqiptarja.com